Një shtetas i Shqipërisë ka përfunduar në pranga në Gjakovë, pasi dyshohet se tentoi t’u jepte 50 euro ryshfet dy zyrtarëve policorë, të cilët e kishin ndaluar për një kundërvajtje në trafik, mëson Sinjali. Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari është Glejdis Spahiu 36-vjeçar banues në Tiranë dhe shtetas i Republikës së Shqipërisë.
Rasti ka ndodhur më 17 gusht, rreth orës , në rrugën “Nëna Terezë” në Gjakovë. Sipas informacioneve që ka mësuar Sinjali, Spahiu po drejtonte një BMW me targa shqiptare, kur është ndaluar nga një patrullë policore për shkak të një kundërvajtjeje në trafik. Zyrtarët policorë i kanë kërkuar dokumentacionin dhe e kanë njoftuar për arsyen e ndalimit.
Pikërisht në momentin kur po ua dorëzonte dokumentet personale, 36-vjeçari dyshohet se bashkë me to ua ka dhënë edhe një kartëmonedhë prej 50 eurosh. Policët e kanë paralajmëruar se një veprim i tillë ishte i kundërligjshëm, por, sipas të dhënave të rastit, Spahiu dyshohet se ka insistuar sërish që ata t’i merrnin paratë.
Pas kësaj, zyrtarët policorë e kanë arrestuar nën dyshimin për veprën penale “Dhënia e ryshfetit”, ndërsa kartëmonedha prej 50 eurosh është konfiskuar si provë materiale. Rasti më pas është marrë në trajtim nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjakovë, ku Spahiu është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës.
Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, i cili ka lëshuar aktvendim që Glejdis Spahiu të ndalohet për 48 orë. Hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë. Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
