Kushtet e favorshme klimatike këtë vit kanë ndikuar në rendimente të mira të kungulleshkës dhe kungujve. Dy fermerë nga Podujeva dhe Prishtina tregojnë për prodhimin, shitjen, mungesën e fuqisë punëtore dhe rëndësinë e subvencioneve, ndërsa njëri prej tyre thotë se një tokë djerrinë e ka kthyer në sipërfaqe produktive.
Bujqësia mbetet një nga veprimtaritë që po i mban të punuara tokat, ndërsa kushtet klimatike të këtij viti i kanë favorizuar disa kultura perimesh. Në Bellopojë të Podujevës, Naser Llumnica ka siguruar rendiment të mirë të kungulleshkës, ndërsa në Besi të Prishtinës, Luan Osmani tokën e dikurshme djerrinë e ka kthyer në parcelë të mbjellë me kunguj.
Të dy fermerët thonë se prodhimi është i mirë, por përballen me sfida në treg dhe me mungesë të fuqisë punëtore. Naser Llumnica bujqësinë e ka trashëguar nga babai. Sot, ai në rreth 2.5 hektarë tokë në Bellopojë të Komunës së Podujevës kultivon disa kultura të perimeve, ndër to edhe kungulleshkën.
Këtë vit, falë kushteve më të mira klimatike, Llumnica thotë se rendimenti i kungulleshkës është i mirë. Në 25 ari të mbjella me këtë kulturë, ai tregon se në ditë vjel rreth 300 kilogramë kungulleshka.
“Vjelja e kungulleshkës fillon në muajin qershor dhe vazhdon deri në nëntor, nëse evitohen dëmet e mundshme nga temperaturat e ulëta të mëngjesit, përmes praktikave të ndryshme teknike” , thotë Llumnica. Sipas tij, një hektar i kultivuar me kungulleshkë mund të japë mbi 30 tonë produkt. Për shitjen, Llumnica thotë se nuk ka probleme të mëdha.
Produktin e tij e shet në tregun e madh të Fushë Kosovës, si dhe në pikat grumbulluese. “ Çmimi ndryshon, por në përgjithësi jemi të kënaqur me të ”, shprehet ai. Llumnica thotë se kungulleshka nuk është përballur me probleme të mëdha nga sëmundjet. Sipas tij, kjo kulturë nuk ka nevoja të larta për ujë. “Në ditët e nxehta, parcelën me kungulleshkë e ujitim një herë në javë, rreth një orë.
Nuk ka kërkesa të mëdha për ujë ”, shpjegon Llumnica. Subvencionet për këtë kulturë ai i vlerëson të mira. Krahas kungulleshkës dhe disa perimeve të tjera, Llumnica edhe këtë vit ka kultivuar patëllxhanin. Edhe te kjo kulturë, kushtet e mira klimatike kanë ndikuar pozitivisht, duke sjellë rendiment dhe cilësi më të mirë se vitin e kaluar.
Sipas tij, një hektar i kultivuar me patëllxhan mund të prodhojë deri në 60 tonë produkt. “Edhe te patëllxhani kushtet e mira klimatike kanë ndikuar pozitivisht, sidomos sa u përket sëmundjeve ”, thotë Llumnica. Patëllxhani, sipas tij, nuk ka kërkesa të larta për ujitje. Vjelja e tij fillon në fund të muajit korrik dhe vazhdon deri në fillim të muajit nëntor.
Edhe shitjen e patëllxhanit Llumnica nuk e konsideron problem. Megjithatë, çmimin nuk e vlerëson shumë të volitshëm dhe shpreson që, me rritjen e kërkesës, të rritet edhe çmimi. “Çmimi nuk është shumë i volitshëm, por shpresojmë që me rritjen e kërkesave të rritet edhe çmi mi”, thotë ai. Problematikë për Naser Llumnicën mbetet mungesa e fuqisë punëtore.
Edhe subvencionet për patëllxhanin ai i vlerëson të mira. Ndërkohë, në fshatin Besi të Komunës së Prishtinës, Luan Osmani një parcelë prej më shumë se 20 ari, e cila më parë ishte tokë djerrinë e mbuluar me ferra, e kishte pastruar dhe e kishte kthyer në tokë të punueshme. Këtë vit, në pjesën më të madhe të kësaj sipërfaqeje ai kishte kultivuar kunguj.
Osmani thotë se kultivimi i kësaj kulture ka rezultuar me sukses, ndaj vitin e ardhshëm planifikon ta zgjerojë sipërfaqen e mbjellë me kunguj.“ Këtë vit kungujt kanë rezultuar shumë mirë dhe vitin e ardhshëm planifikoj ta rris sipërfaqen me këtë kulturë”, thotë Osmani. Krahas perimeve, ai kultivon edhe grurë e misër.
Sipas tij, klima e mirë e këtij viti ka ndikuar pozitivisht në rendimentet e të gjitha kulturave, përfshirë edhe kungujt. “Sa u përket sëmundjeve, kushtet e mira klimatike kanë ndikuar që ato të jenë shumë më të pakta. Te kungujt që i kam kultivuar këtë vit, i kemi evituar plotësisht ”, shprehet Osmani.
E veçantë e kultivimit të sivjetshëm të kungujve, sipas tij, është edhe mënyra e plehërimit. “Plehu i vetëm që kemi përdorur ka qenë masa organike e krijuar nga dushku dhe ferrat që kanë qenë më parë në këtë tokë”, tregon Osmani. Reshjet e këtij viti, thotë ai, kanë ndikuar në uljen e nevojës për ujitje. Megjithatë, për dallim nga perimet e tjera, shitja e kungujve është pak më e vështirë.
“Shitja e kungujve është pak më e vështirë sesa e perimeve të tjera. Sasinë që nuk arrijmë ta shesim e përdorim si ushqim për pulat që i mbarështojmë”, thotë Osmani. Edhe Osmani subvencionet për bujqësi i vlerëson të mira. Familja Osmani kultivon rreth 6 hektarë tokë në Besi të Komunës së Prishtinës, me kultura lavërtare dhe perime.
Në këto veprimtari janë të angazhuar tre anëtarë të familjes. Osmani bujqësinë e vlerëson si veprimtari profitabile dhe u bën thirrje qytetarëve që tokat e tyre të mos i lënë djerrinë. “Bujqësia është veprimtari profitabile. I sugjeroj të gjithë që të mos i lënë tokat djerrinë, por t’i punojnë dhe t’i shfrytëzojnë”, përfundon Osmani.
