Pak vetura kanë lënë gjurmë në Kosovë si Golf 2. Për shumë familje, ajo nuk ishte thjesht një veturë, por pjesë e përditshmërisë dhe një prej modeleve më të dashura të një gjenerate të tërë. Golf 2 u prodhua nga Volkswagen dhe debutoi në vitin 1983 , si pasardhës i Golf 1. Deri në fund të prodhimit u ndërtuan rreth 6.3 milionë ekzemplarë në vende të ndryshme.
Por lidhja e Golf 2 me hapësirën tonë është edhe më interesante. Duke nisur nga viti 1985 , modeli filloi të prodhohej edhe në fabrikën TAS (Tvornica Automobila Sarajevo) në Vogoščë, pranë Sarajevës. Aty prodhimi vazhdoi deri në vitin 1992, kur lufta në Bosnje i dha fund veprimtarisë së fabrikës.
Golf 2 ishte i njohur për thjeshtësinë, qëndrueshmërinë dhe mirëmbajtjen relativisht të lehtë . Në dispozicion kishte motorë benzinë dhe naftë, ndërsa Volkswagen solli edhe versione më të avancuara si GTD, GTI dhe Syncro me katër rrota . Në fakt, për kohën e tij, Golf 2 ishte më modern sesa duket sot.
Modeli solli teknologji si ABS, servo timon dhe sistemin 4×4 Syncro , ndërsa Volkswagen prezantoi edhe versione eksperimentale elektrike dhe hibride. Prodhimi në Sarajevë e bëri Golf 2 veçanërisht të përhapur në ish-Jugosllavi. Fabrika TAS prodhonte për tregun e republikave jugosllave dhe në vitet e saj më të suksesshme kishte mijëra punëtorë.
Në vitin 1989, për shembull, në fabrikë punonin rreth 3,500 persona dhe u prodhuan mbi 37 mijë automjete . Edhe sot, dekada pas përfundimit të prodhimit, Golf 2 vazhdon të shihet në rrugët e Kosovës . Për shumë kosovarë, ai mbetet simbol i një kohe kur një veturë mund të ishte njëkohësisht e thjeshtë, e lirë për mirëmbajtje dhe jashtëzakonisht jetëgjatë.
Nga Wolfsburgu në Sarajevë e deri në rrugët e Kosovës – Golf 2 nuk ishte thjesht një Volkswagen. U bë një fenomen i Ballkanit. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
