Edhe kur pronari jep leje, qeni duhet të vendosë vetë nëse dëshiron kontakt – ja cilat lëvizje duhen shmangur Edhe kur pronari ju lejon ta përkëdhelni një qen, fjalën e fundit duhet ta ketë vetë kafsha . Në vend që t’ia zgjasni menjëherë dorën drejt hundës apo të filloni ta përkëdhelni, është më mirë të prisni që ai t’ju afrohet vetë.
Shumica e adhuruesve të qenve e kanë të vështirë t’i rezistojnë dëshirës për të përkëdhelur një qen simpatik që takojnë gjatë shëtitjes. Megjithatë, afrimi me një qen të panjohur nuk është njësoj si me kafshën tuaj shtëpiake. Një gjest që për njeriun duket miqësor, qeni mund ta perceptojë si kërcënim. Sipas American Kennel Club , qentë kanë kufijtë dhe mënyrën e tyre të komunikimit.
Nëse ndihen të frikësuar ose të kërcënuar, mund të tërhiqen, të ulërijnë ose, në raste ekstreme, edhe të kafshojnë. Gjithmonë pyetni pronarin Rregulli i parë është të kërkoni lejen e pronarit: “A mund ta përkëdhel?” Nëse përgjigjja është jo, duhet respektuar pa diskutim. Pronari mund ta dijë se qeni është i frikësuar, reaktiv, i lënduar ose ndodhet në trajnim.
Por edhe kur merrni leje, mos u afroni menjëherë. Prisni që qeni të vendosë vetë nëse dëshiron kontakt. Nëse qëndron larg ose tërhiqet, ky është sinjal se nuk dëshiron të ndërveprojë. Mos iu afroni drejtpërdrejt dhe mos e shikoni gjatë në sy Edhe pozicioni i trupit ka rëndësi. Afrimi drejt për drejt dhe kontakti i zgjatur me sy mund të perceptohen si kërcënim.
Është më mirë ta ktheni trupin paksa anash dhe ta shikoni pa ngulm. Mund të uleni lehtë në nivelin e tij, por nëse nuk jeni të sigurt për reagimin, është më e sigurt të qëndroni në këmbë dhe të mos e afroni fytyrën pranë qenit, transmeton Telegrafi. Mos ia shtyni dorën para hundës Qentë mbështeten shumë te nuhatja, por kjo nuk do të thotë se duhet t’ua çoni pëllëmbën menjëherë para hundës.
Mbajeni dorën qetë pranë trupit dhe lëreni qenin të vendosë vetë nëse dëshiron t’ju afrohet dhe t’ju nuhasë. Nëse ai afrohet dhe duket i qetë, përkëdhelja duhet të jetë e butë dhe pa lëvizje të papritura. Zakonisht është më mirë ta prekni në anë të trupit, qafë, shpinë apo gjoks. Mund ta pyesni edhe pronarin se ku i pëlqen të përkëdhelet.
Shumë qenve nuk u pëlqen dora që u afrohet nga sipër kokës, ndërsa përqafimet gjithashtu duhen shmangur , pasi qentë nuk i perceptojnë domosdoshmërisht si shenjë dashurie në të njëjtën mënyrë si njerëzit. Vëzhgoni gjuhën e trupit Nëse qeni tërhiqet, e kthen kokën, ngurtësohet ose shfaq shenja të tjera parehatie, ndërpriteni kontaktin.
Lëvizjet e ngadalshme dhe të qeta i japin atij kohë t’ju njohë pa ndier presion. Çfarë të bëni me një qen pa pronar? Kujdesi duhet të jetë edhe më i madh kur hasni një qen të lirë ose të humbur. Mos vraponi drejt tij dhe mos u përpiqni ta kapni menjëherë. Qëndroni të qetë, shmangni lëvizjet e papritura dhe lëreni të afrohet vetë, nëse dëshiron.
Fëmijëve u rekomandohet të mësojnë rregullin “bëhu si pemë” : nëse u afrohet një qen i lirë, të qëndrojnë të palëvizshëm, t’i mbajnë duart pranë trupit ose të bashkuara përpara dhe të shikojnë poshtë. Kjo zvogëlon rrezikun që qeni të ndihet i kërcënuar ose që vrapimi dhe britmat ta nxisin të ndjekë fëmijën. Të duash qentë nuk do të thotë se çdo qen dëshiron vëmendjen tonë.
Respektimi i kufijve të tij, leja e pronarit dhe pak durim janë mënyra më e sigurt që takimi të përfundojë mirë për të dyja palët .
