Kastrati: Ura e Ibrit nuk duhet të jetë ndarëse, Policia e Kosovës

0%

Ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, ka deklaruar se janë plotësuar kushtet e sigurisë për hapjen e Urës së Ibrit dhe se menaxhimi i saj mund t’i besohet Policisë së Kosovës. Sipas Kastratit, deklarata e Bashkimit Evropian tregon se kushtet janë plotësuar jo vetëm në aspektin politik, por edhe në atë të sigurisë.

“Deklarata e BE-së e ka dhënë qartë që nuk është vetëm në aspektin politik, por edhe në aspektin e sigurisë janë plotësuar kushtet”, tha Kastrati. Ai vlerësoi punën e Policisë së Kosovës në veri të vendit, duke thënë se ajo ka vepruar me profesionalizëm dhe përkushtim.

“Kemi parë që Policia e Kosovës me profesionalizëm, me punën dhe përkushtimin e ka bërë një punë të jashtëzakonshme në veriun e Kosovës, ku ka eliminuar deri diku të gjitha ato elemente ekstremiste, terroriste që Serbia ka instaluar që një kohë të gjatë”, u shpreh ai.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Kastrati tha se edhe KFOR-i dhe EULEX-i kanë konstatuar se kushtet janë plotësuar dhe se ura mund të menaxhohet nga Policia e Kosovës. “Ura e Ibrit të mos jetë ndarëse dhe mund të menaxhohet nga Policia e Kosovës. Duhet të themi që Policia e Kosovës e ka dëshmuar në të kaluarën që nuk është një polici që mbron vetëm një komunitet, por të gjitha komunitetet në vend”, deklaroi Kastrati.

Duke folur për mënyrën e menaxhimit të urës, ish-komandanti i FSK-së tha se nuk ka nevojë për vendosjen e njësive speciale. “Nuk ka nevojë që të vendosen njësitë speciale. Është një automjet apo patrullë policore që të stacionohet dhe të përcjellë lëvizjen e këtyre njerëzve”, tha ai.

Kastrati u bëri thirrje qytetarëve që të tregojnë, siç tha ai, sjellje me norma evropiane gjatë kalimit të urës. “Një rekomandim apo mesazh ndaj qytetarëve të Kosovës: nuk është patriotizëm me kaluar me flamur, me bori apo automjete. Sjellja jonë duhet të jetë me norma evropiane. Andej Ibrit është territor i yni”, përfundoi Kastrati.

Kastrati, i ka reaguar ish-presidentes Vjosa Osmani lidhur me deklaratën e saj për hapjen e Urës së Ibrit. Kastrati tha se nuk pajtohet me vlerësimin e Osmanit se hapja e urës përbën një “akt historik”. “Me keqardhje, ish-presidentja ka deklaruar që është akt historik. Unë them që nuk është akt historik, është akt normal hapja e një ure mbi lumin Ibër” , tha Kastrati.

Ai vlerësoi se ura nuk duhet të shërbejë më si pikë ndarëse dhe se menaxhimi i saj mund t’i besohet Policisë së Kosovës.

Burimi: Bota Sot