Bashkimi Evropian ka konfirmuar se janë përmbushur kushtet e nevojshme për hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, pas vendimit të KFOR-it për të nisur një tranzicion gradual të pranisë së tij të përhershme ushtarake në këtë lokacion.
Vendimi vjen në një pikë të ndjeshme për veriun e Kosovës, ku Ura e Ibrit prej vitesh mbetet një nga simbolet kryesore të ndarjes mes dy pjesëve të Mitrovicës. Por, a nënkupton konfirmimi i BE-së se hapja e urës është tashmë vetëm çështje kohe? A mund të ndikojë tërheqja graduale e pranisë së përhershme të KFOR-it në sigurinë dhe stabilitetin në këtë zonë?
Dhe a është ky një hap i rëndësishëm drejt normalizimit të jetës dhe lëvizjes së lirë në Mitrovicë? Për këtë çështje, për “Bota sot” kanë folur Emin Azemi dhe Adem Salihaj, të cilët kanë dhënë vlerësimet e tyre lidhur me rëndësinë e hapjes së urës, ndryshimet në aspektin e sigurisë dhe ndikimin që ky zhvillim mund të ketë në normalizimin e gjendjes në veri.
Azemi: Ura e Ibrit, fundi i simbolit të ndarjes Fillimisht, për këtë çështje foli publicisti Emin Azemi, i cili e konsideron hapjen e urës kryesore mbi lumin Ibër si një kthesë historike dhe politike për rajonin.
Sipas tij, konfirmimi i Bashkimit Evropian se kushtet teknike dhe politike janë përmbushur tregon një vullnet të qartë ndërkombëtar për të lëvizur përpara dhe se periudha e bllokimit të gjatë po i afrohet fundit.
Emin Azemi “Hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë shënon një kthesë historike dhe politike për rajonin, duke riformësuar thellësisht dinamikën e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë dhe duke sjellë një arkitekturë të re të masave të sigurisë në terren.
Konfirmimi i Bashkimit Evropian se kushtet teknike dhe politike janë përmbushur tregon një vullnet të qartë ndërkombëtar për të lëvizur përpara.
Ky qëndrim zyrtar dëshmon se periudha e bllokimit të gjatë po i afrohet fundit, ndërsa legjitimiteti i dhënë nga Brukseli e zhvendos vëmendjen nga dilema nëse duhet hapur ura te modalitetet praktike të zbatimit” Në rrafshin diplomatik, Azemi vlerëson se ky zhvillim tregon një ndryshim të peshës së negociatave dhe një qasje të re ndërkombëtare ndaj situatës në veri të Kosovës.
“Në rrafshin diplomatik, ky zhvillim demonstron një ndryshim të peshës së negociatave dhe një kalim nga diskutimet e pafundme për çështje teknike drejt krijimit të fakteve të kryera mbi sovranitetin territorial.
Konfirmimi i Bashkimit Evropian dhe lëvizjet e NATO-s tregojnë se vendimmarrja ndërkombëtare po anashkalon veton historike të Serbisë për veriun, duke margjinalizuar rolin e Beogradit në këtë proces.
Megjithatë, procesi i mëtutjeshëm i Prishtinës drejt strukturave evropiane, mbetet rreptësisht i lidhur me koordinimin e këtyre hapave strategjikë me aleatët perëndimorë, në një kohë kur Brukseli pritet të rrisë kërkesat ndaj Kosovës për zbatimin e Asociacionit si balancë politike ndaj lëshimeve të fundit sovraniste”, shtjelloi ai.
Sa i përket vendimit të KFOR-it për të nisur një tranzicion gradual të pranisë së tij ushtarake, Azemi thotë se ky veprim mbart peshë të madhe strategjike dhe reflekton një vlerësim të ri të situatës së sigurisë në terren.
“Vendimi i KFOR-it për të nisur një tranzicion gradual të pranisë së tij ushtarake mbart peshë të madhe strategjike, pasi kjo tërheqje e planifikuar reflekton një vlerësim të ri të situatës së sigurisë në terren.
Aleanca ushtarake po dëshmon besim te kapacitetet e autoriteteve vendore për të menaxhuar rendin përmes një procesi që po bëhet me kujdes të shtuar për të parandaluar çdo vakum sigurie.
Stabiliteti i veriut mbetet i varur nga koordinimi i ngushtë midis forcave vendore dhe atyre ndërkombëtare, ku Policia e Kosovës ka nisur të marrë përsipër sigurimin e urës duke zëvendësuar pikat statike të KFOR-it. Ky zhvillim kompleks përbën një hap thelbësor drejt normalizimit të jetës dhe garantimit të lëvizjes së lirë në Mitrovicë.
Ura e Ibrit po zhvishet nga funksioni i saj shumëvjeçar si simbol i ndarjes etnike dhe po kthehet në një pikë lidhëse normale urbane. Qarkullimi i lirë i qytetarëve dhe i mallrave do të ndihmojë integrimin ekonomik të dy pjesëve të qytetit, duke lehtësuar jetesën e përditshme dhe duke krijuar një hapësirë të re për bashkëpunim më të madh social midis komuniteteve.
Thyerja e këtij simboli të ndarjes sjell stabilitet politik dhe psikologjik për mbarë vendin. Ky zhvillim rrit sigurinë për investimet e huaja dhe hap rrugën për një zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik”, përfundoi Emin Azemi për “Bota sot”.
Salihaj: Tërheqja e KFOR-it është hapi i madh dhe i fundit drejt normalizimit të plotë Ndërkaq, edhe Adem Salihaj foli për “Bota sot” lidhur me rëndësinë e zhvillimeve të fundit rreth Urës së Ibrit dhe ndikimin e tyre në normalizimin e gjendjes në veri të Kosovës.
Adem Salihaj Sipas tij, tërheqja e KFOR-it dhe vendosja aty e Policisë së Kosovës përbën një hap të madh drejt normalizimit të plotë të gjendjes në veri, ndërsa Ura e Ibrit për gati tri dekada ka qenë simbol i kufirit dhe ndarjes. “Tërheqja e KFOR-it nga Ura e Ibrit dhe vendosja aty e Policisë së Kosovës është hapi i madh dhe i fundit drejt normalizimit të plotë të gjendjes në veri.
Disa dekada tensionesh, mungese kontrolli dhe sundim të bandave serbe të Vuçiqit, kanë bërë që veriu të konsiderohej tokë serbe, ku çizmja e shqiptarit nuk do të shkel atje. Ura e Ibrit për gati tri dekada qe simbol i kufirit dhe i ndarjes. Kuptimi ka qenë se këndej urës janë shqiptarët, kurse andej urës serbët dhe Serbia.
Deri para pesë vjetësh ishte rrezik i madh dhe askush nga shqiptarët nuk guxonte të shkelte në veri. Ndërtimi i dy urave alternative dhe vendosja e kontrollit të Qeverisë së Kosovës në veri, ia humbi rëndësinë e ndarjes Urës së Ibrit.” Salihaj thekson se ndryshimet e viteve të fundit në veri kanë ndikuar në dobësimin e rolit të strukturave që për vite me radhë e kanë mbajtur urën si një simbol të ndarjes, ndërsa sipas tij tashmë rëndësia e saj në këtë aspekt është zvogëluar.
“Bandat e Serbisë, të personifikuara përmes Rojeve të Urës dhe Brigadave të Veriut, gjithnjë e më pak u dëgjohet zëri. Veprimtaria kryesore e tyre tash është shkrimi i grafiteve antishqiptare natën. Ura e Ibrit tashmë pat mbetur vetëm një simbol famëkeq, që na përkujton se dikush atje ende shpreson se ajo do ta ndalë vendosjen e kontrollit të plotë në atë pjesë të Kosovës.
Ajo ishte simbol i ndarjes së Kosovës, projekt për të cilin punoi shumë Vuçiqi dhe disa bashkëpunëtorë të tij në Kosovë dhe Shqipëri. Normalizimi i plotë i jetës në veri tashmë është i sigurtë dhe është çështje muajsh. Por, gjithsesi, ende ka punë për të bër ë”, përfundoi Adem Salihaj për “Bota sot”.
