Një sulm i rëndë me armë zjarri ka tronditur të dielën mbrëma qytetin Isla Cristina, në provincën Huelva të Spanjës, ku tre persona janë vrarë dhe një tjetër ka mbetur në gjendje kritike. Sipas raportimeve të mediave lokale, një person ka mbërritur me motoçikletë në lagjen Rocío dhe ka hapur zjarr ndaj disa personave, para se të largohej nga vendi i ngjarjes.
Mes viktimave është një grua shtatzënë , nëna e saj dhe një 16-vjeçar . Të tre janë qëlluar në rrugë, ndërsa një person i katërt ka mbetur i plagosur rëndë dhe po trajtohet në spital. Autoritetet po hetojnë nëse sulmi lidhet me një konflikt të vjetër mes dy familjeve. Dyshimet janë se ngjarja mund të jetë një akt hakmarrjeje për një vrasje të ndodhur në shtator në Huelva.
Viktimat e sulmit të fundit raportohet se kishin lidhje familjare me personin e përfshirë në atë rast. Që atëherë, dy familjet dyshohet se janë përfshirë në disa episode dhune, përfshirë edhe një tjetër incident me armë zjarri në Isla Cristina. Për këtë arsye, hetuesit nuk po e përjashtojnë mundësinë që sulmi i së dielës të jetë pjesë e një hakmarrjeje mes dy familjeve .
Garda Civile dhe Policia lokale kanë nisur një operacion të gjerë për kapjen e të dyshuarit, i cili vazhdon të jetë në arrati. Hetimet për zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
