Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 137 raste me fruth gjatë periudhës 16 prill deri më . Sipas IKShPK-së, vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 25 raste të reja. Numri më i madh i rasteve është raportuar në Prishtinë, me 47 raste, pasuar nga Fushë-Kosova me 34 dhe Ferizaj me 12 raste.
Në Obiliq janë raportuar tetë raste, në Kaçanik dhe Lipjan nga shtatë, ndërsa në Skenderaj, Vushtrri dhe Drenas nga tri raste. Nga dy raste janë raportuar në Gjilan, Shtime, Shtërpcë dhe Deçan, ndërsa nga një rast në Gjakovë, Graçanicë, Mitrovicë, Podujevë dhe Viti.
IKShPK ka bërë të ditur se ekipet e vaksinimit në komunat me numrin më të lartë të rasteve kanë intensifikuar aktivitetet gjatë javës së fundit. Në Prishtinë, Fushë-Kosovë, Ferizaj, Obiliq, Vushtrri dhe Skenderaj, gjithsej 276 fëmijë të vonuar për vaksinim janë vaksinuar me MMR.
Instituti u ka bërë thirrje qytetarëve që, në rast të simptomave të dyshimta të fruthit, si temperaturë e lartë, skuqje të lëkurës, kollë, rrufë ose konjuktivit, të paraqiten menjëherë në institucionet më të afërta shëndetësore.
Duke theksuar infektueshmërinë e lartë të fruthit dhe rrezikun e përhapjes në komunitet, IKShPK u ka bërë thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve dhe të sigurojnë vaksinimin sipas kalendarit të rregullt.
Sipas institutit, vaksinimi mbetet mënyra më e sigurt dhe më efektive për parandalimin e fruthit dhe kufizimin e përhapjes së sëmundjes./ Telegrafi
