Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Gjakovë, i cili dyshohet se ka tentuar t’u japë ryshfet zyrtarëve policorë për të shmangur shqiptimin e masës për një kundërvajtje në trafik. Sipas Policisë, rasti është trajtuar nga Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Gjakovë, pas informatave të pranuara nga Stacioni Policor në Gjakovë.
Rreth orës , në rrugën “Nënë Tereza”, personi i dyshuar, gjatë kontrollit nga zyrtarët policorë për shkak të një kundërvajtjeje në trafik, ka tentuar t’u japë një kartëmonedhë prej 50 eurosh, me qëllim që t’i shmangej shqiptimit të masës.
Pavarësisht paralajmërimit të policëve se një veprim i tillë është i kundërligjshëm, i dyshuari ka insistuar në dhënien e parave, pas së cilës është arrestuar. I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, ndërsa Prokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë ka nxjerrë aktvendim për ndalimin e tij për 48 orë.
Kartëmonedha prej 50 eurosh është sekuestruar si provë, ndërsa rasti do t’i përcillet Prokurorisë për procedim të mëtejmë. Policia e Kosovës ka rikonfirmuar se korrupsioni dhe ryshfeti janë të kundërligjshme dhe se zyrtarët policorë do të veprojnë në mënyrë profesionale dhe të paanshme ndaj çdo tentative për ndikim të paligjshëm.
