Dy dronë që autoritetet kurde thanë se ishin lëshuar nga Irani kanë shënjestruar zyrën e kryeministrit të Qeverisë Rajonale të Kurdistanit në Irak, Masrour Barzani, raporton CNN. Sipas agjencisë kundër terrorizmit të rajonit, dronët kanë shënjestruar gjithashtu rezidencën e kreut të Agjencisë së Sigurisë dhe Inteligjencës.
Nga sulmet nuk është raportuar për viktima, ndërsa deri më tani askush nuk e ka marrë përgjegjësinë. “Zyra ime personale dhe shtëpia e kreut të Agjencisë së Sigurisë dhe Inteligjencës u shënjestruan nga sulmet me dronë iranianë më herët gjatë ditës së sotme”, shkroi Barzani në platformën X.
Ai e cilësoi sulmin si “një përshkallëzim të rrezikshëm dhe një kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë dhe stabilitetit të Rajonit të Kurdistanit”. Qeveria Rajonale e Kurdistanit konsiderohet aleate e Shteteve të Bashkuara dhe strehon parti kurde që kanë lidhje me komunitetet kurde në Iran.
Presidenti amerikan Donald Trump ka pretenduar më herët se administrata e tij kishte tentuar t’i armatoste kurdët brenda Iranit gjatë luftës, por sipas tij, ata nuk u përplasën me autoritetet iraniane. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
