Policia e Kosovës ka ndaluar dy persona, shtetas të huaj, pasi të njëjtit dyshohet se kanë ushtruar kundërligjshëm veprimtari mjekësore apo farmaceutike.
Policia ka njoftuar më se në bashkëpunim me Inspektoratin Shëndetësor të Ministrisë së Shëndetësisë kanë realizuar inspektim në një lokacion në Prishtinë lidhur me dyshimet për ushtrim të veprimtarisë në lëminë e ortoprotetikës pa licencën përkatëse.
Inspektorati ka ndaluar ofrimin e këtyre shërbimeve pasi dyshohet se ofrimi i shërbimeve shëndetësore është në kundërshtim me dispozitat ligjore. Dy personat e ndaluar janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe pas përfundimit të procedurave, me aktvendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë.
Organet e rendit njoftojnë se rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente për procedura të mëtejme ligjore.
