Shpërndaje në: Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se edhe sot janë duke qëndruar para ndërtesës së Qeverisë. Përmes një postimi në Facebook, PDK-ja i ka kërkuar kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit të rikthehet në Kuvend. “Edhe sot jemi para Qeverisë: Albin, eja në Kuvend dhe hape rrugën për rikthimin e rendit kushtetues.
Mos e mbaj peng shtetin, institucionet dhe interesin e qytetarëve për kalkulimet e tua politike”, thuhet në postim. Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë vazhduar me kërkesën për vazhdimin e seancës për konstituimin e Kuvendit, ndërsa kanë akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje për bllokim të procesit.
Të dielën, deputetët kanë tentuar të hyjnë në sallën e Kuvendit, por dera ka qenë e mbyllur. Ligjvënësit e këtyre partive kanë thënë se me këtë veprim, shteti po mbahet në krizë. Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka ftuar krerët e partive politike në takim, porse të gjithë e kanë refuzuar.
Të dielën ajo ka shprehur keqardhje që Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca kanë refuzuar ftesat për takimin të martën. Ajo ka thënë se qytetarët e Kosovës po flasin vazhdimisht qartë përmes zgjedhjeve, ndërsa është detyrë e udhëheqësve të partive të zbatojnë në praktikë vullnetin e qytetarëve.
Deri tash deputetët janë ftuar dy herë për ta konstituuar legjislaturën e dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit. Deputetët e kanë dhënë betimin, por në pikën e rendit të ditës për ta propozuar kryeparlamentarin, Kurti ka dalë në foltore dhe refuzimin për ta dhënë propozimin e ka arsyetuar me faktin që ende nuk ka marrëveshje me partitë politike për presidentin.
E, sipas tij, Kuvendi nuk bën të konstituohet pa këtë marrëveshje, meqë në të kundërtën do të konsumohej edhe afati 60-ditor për zgjedhjen e presidentit dhe do të imponoheshin zgjedhjet e serishme të parakohshme.
Kryesuesi i seancës konstitutive të Kuvendit të Kosovës njëherësh deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Avni Dehari, ka bërë thirrje për dialog dhe marrëveshje mes partive, pasi sipas tij, vazhdimi i seancës konstituive pa marrëveshje mund ta tensionojë edhe më tej situatën dhe të çojë edhe në konflikt fizik brenda Kuvendit.
Edhe Arbëri 19 nën 2025 PDK, LDK, AAK e Nisma: S’ka votë as për buxhet, as për Qeveri “Çdo përpjekje për ta vazhduar seancën pa një marrëveshje politike vetëm sa e tensionon më tej situatën dhe e rrit rrezikun e përplasjeve, madje edhe të konfliktit fizik brenda sallës së Kuvendit”, ka shkruar Dehari në Facebook.
Lëvizja Vetëvendosje, bashkë me aleatët e saj nga radhët e komuniteteve, ka mjaftueshëm vota për ta konstituuar Kuvendin e edhe për ta votuar Qeverinë. Por, për t’u zgjedhur presidenti kërkohet pjesëmarrja në votim e së paku 80 deputetëve në dy raundet e para. Në rast se zgjedhja nuk mund të bëhet brena 60 ditësh, Kuvendi shpërndahet dhe shpallen zgjedhje të reja të parakohshme.
Partitë nuk i janë afruar zhbllokimit të ngërçit politik qe gati dy vjet. Kosova është në cikël të vazhdueshëm krizash që prej zgjedhjeve të shkurtit 2025. Fillimisht pati telashe për konstituim e më pas dështimi për të formuar qeverinë çoi në zgjedhje të dhjetorit. Pas tyre pati konstituim, por nuk pati zgjidhje për presidentin e ri. Më 7 qershor pasuan zgjedhjet e reja.
