Publikohen pamjet nga zjarri që përfshiu hotelin në zonën e Lungomares në Vlorë, ku shihen momentet kur pushuesit përpiqen të dalin nga dritaret për t’u shpëtuar flakëve dhe tymit. Në pamje, shihen disa persona që largohen nga dritarja për tu shpëtuar flakëve. Zjarri ra në orët e para të mëngjesit.
Disa prej pushuesve, të gjendur përballë tymit dhe flakëve, u detyruan të dilnin nga dritaret. Një prej të dëmtuarve ka treguar nga spitali se, pasi kishin parë korridorin të mbushur me tym, ishin drejtuar drejt ballkonit. “Ishim në gjumë në orën 4 të mëngjesit, nuk e di. Dolëm në korridor, pamë shumë tym. Mbyllëm derën, shkuam në ballkon, flakë.
Kërcyem nga ballkoni, kam rënë në beton a nuk e di” , thotë i riu. Si pasojë e ngjarjes, gjashtë persona morën ndihmë mjekësore në Spitalin e Vlorës. Pesë prej tyre u dërguan më pas drejt Tiranës për trajtim më të specializuar: dy në Spitalin e Traumës dhe tre në repartin e djegieve në QSUT. Një tjetër po trajtohet në repartin e Kirurgjisë në Spitalin e Vlorës.
Sipas informacioneve paraprake, flakët nisën në lokalin në katin e parë dhe më pas u përhapën në katin e dytë, ku ndodhej hoteli, si dhe në fasadën e objektit.
