Kristjan Asllani është gjithnjë e më pranë largimit nga Interi, pasi mesfushori shqiptar nuk bën pjesë në planet e trajnerit Kristian Kivu për sezonin e ri. Pas një vere me disa pista të ndryshme, përfshirë edhe një shkëmbim të mundshëm në Arabinë Saudite me Mussa Diabi, që në fund nuk u realizua, tani për Asllanin shfaqet një tjetër mundësi në Itali.
Sipas gazetarit italian Marco Barzaghi, Asllani i është ofruar Monzës, e cila po kërkon përforcime në mesfushë pas dëmtimit të rëndë të Matteo Pessinës. Trajneri Ivan Jurić ka konfirmuar se problemi në gju do ta mbajë Pessinën jashtë fushave për një periudhë të gjatë. Për këtë arsye, Monza po shqyrton alternativa dhe emri i Asllanit është një prej tyre.
Raportimet e fundit bëjnë me dije se Monza mund të jetë e gatshme të ofrojë deri në 8 milionë euro për mesfushorin shqiptar. Nga ana tjetër, Interi kërkon më shumë, por mund të ketë hapësirë për kompromis, me zikaltërit që mund të zbresin deri në rreth 12 milionë euro. Megjithatë, një tjetër mundësi mbetet huazimi.
Marrëveshja mund të përfshijë një opsion ose detyrim blerjeje, që do të aktivizohej në rast se Monza arrin të sigurojë mbijetesën. Tashmë mbetet për t’u parë nëse pista Monza do të konkretizohet dhe nëse Kristjan Asllani do të largohet përfundimisht nga Interi, për të nisur një kapitull të ri në karrierën e tij.
