Federata e Boksit e Serbisë është bërë Federata Serbe e Boksit. Dhe në rrugën drejt këtij ndryshimi është edhe Komiteti Olimpik i Serbisë. Kjo vjen pas vendimeve të Federatës së Vaterpolos dhe asaj të Hendbollit, të cilat më herët morën emrin për të cilin thonë se “përcakton qartë përkatësinë ndaj kombit që përfaqësojnë”.
Federata e Boksit e shpjegoi ndryshimin e emrit me faktin se në këtë mënyrë “shprehet më qartë identiteti, tradita dhe përkatësia ndaj boksit serb”. Ndërsa federatat njëra pas tjetrës heqin Serbinë nga emrat e tyre dhe shtojnë fjalën “serbe”, disa klube nga zonat ku jetojnë pakicat kombëtare shprehin shqetësim.
Nga Klubi i boksit Novi Pazar i thanë REL-it se konsiderojnë se emri Federata e Boksit e Serbisë ishte më i përshtatshëm, sepse përfshinte në mënyrë të barabartë të gjithë në territorin e Serbisë. “Duke e parë nga aspekti gramatikor, kështu përfshihen pjesëtarët e një kombi. Ne, si pjesëtarë të një kombi pakicë, konsiderojmë se me këtë jemi izoluar nga emri i ri”, thuhet në përgjigje.
Drejtuesit e këtij klubi thonë se janë të sigurt se kjo nuk ka qenë ideja, por “kështu del nga ana gjuhësore”. Ndryshimi i emrit, megjithatë, shtojnë ata, nuk do ta ndryshojë qëndrimin e Klubit të Boksit Novi Pazar se janë pjesëmarrës të barabartë në federatë dhe se do të vazhdojnë të bashkëpunojnë si më parë.
Federata e Boksit e Serbisë më 11 gusht njoftoi se ndryshimi është bërë në përputhje me “emrin e vendit tonë dhe të popullit tonë”. Por, para së gjithash, siç shtohet, si përgjigje ndaj nismës së një numri të madh të boksierëve, trajnerëve dhe klubeve të boksit nga Serbia dhe entiteti boshnjak i Republikës Sërpska.
Dhe, në këtë nismë, ata thuhet se kanë shprehur dëshirën që përmes emrit të Federatës “të shprehet më qartë identiteti, tradita dhe përkatësia ndaj boksit serb”. “Te ekipi përfaqësues do të respektohen maksimalisht dallimet sa i përket besimit dhe fesë së të gjithë anëtarëve të tij”, kishte deklaruar atëherë presidenti i Federatës Kombëtare të Boksit, Nenad Borovçanin.
Federata Serbe e Boksit nuk iu përgjigj pyetjeve të REL-it. Federatat kombëtare përfshijnë klubet sportive, shoqatat, organizatat dhe federatat rajonale në një degë të caktuar të sportit. Çfarë do të thotë Federata Serbe në vend të Federatës së Serbisë?
“Te ne, mbiemri serb lidhet para së gjithash me serbizmin, me ata që nga përkatësia etnike janë serbë”, thotë për REL-in kulturologia Milena Dragiçeviq Sheshiq. Federata e Vaterpolos e Serbisë, e cila e nisi efektin domino mes federatave sportive, iu referua shembujve të federatave të tjera të vaterpolos dhe notit në botë.
Mes tyre u përmendën Federata Hungareze e Vaterpolos, Federata Ruse e Vaterpolos, Federata Italiane e Notit, Federata Kroate e Vaterpolos… “Tani edhe Federata Serbe e Vaterpolos ka marrë një emër që përcakton qartë përkatësinë ndaj kombit që përfaqëson”, thuhej në njoftimin e 1 korrikut.
Shtohet gjithashtu se në këtë mënyrë organizata kombëtare e vaterpolos ka marrë një emër që thekson më qartë përkatësinë ndaj sportit serb. Njoftim identik erdhi edhe nga Federata e Hendbollit e Serbisë, e cila më 9 gusht e ndryshoi emrin në Federata Serbe e Hendbollit.
“Dikush do të thotë edhe si mund të jetë franceze e kështu me radhë, megjithatë, te francezët është e qartë se mbiemri francez nuk i referohet etnicitetit, por shtetit francez”, shpjegon profesoresha universitare Dragiçeviq Sheshiq.
Edhe Komiteti Olimpik i Serbisë ndryshon emrin Valës së ndryshimeve të emrave iu bashkua edhe Komiteti Olimpik i Serbisë (KOS), i cili më 11 gusht nisi procedurën për ndryshimin e emrit në Komiteti Olimpik Serb.
Atëherë u nis edhe propozimi që Komiteti Olimpik i Serbisë t’i dërgojë nismë Ministrisë së Sportit, federatave kombëtare sportive, Federatës Sportive të Serbisë dhe Komitetit Paraolimpik të Serbisë, me kërkesë që të shqyrtojnë dhe mbështesin ndryshimin e propozuar të emrit.
Është hapur gjithashtu çështja e mundësisë së hartimit të një zgjidhjeje të unifikuar ideore dhe grafike për stemat e federatave kombëtare sportive, me qëllim “arritjen e një njohjeje më të madhe vizuale dhe unitetit të sportit serb”.
Komiteti Olimpik i Serbisë u themelua në vitin 1910 si Klubi Olimpik Serb, ndërsa sipas ueb-faqes së tij zyrtare, që në vitin 1912 në vulë qëndronte Komiteti Olimpik i Serbisë. Komiteti Olimpik gjatë viteve, teksa ndryshonin rregullimet shtetërore, ndryshonte edhe emrin, për t’u rikthyer që nga viti 2006 te emri Komiteti Olimpik i Serbisë.
Para kësaj vale të riemërtimit të federatave sportive në federata serbe, Federata Atletike e Serbisë (ASS) në vitin 2020 e ndryshoi emrin në Federata Serbe e Atletikës (SAS), duke u kthyer te emri fillestar i fillimit të shekullit XX. Por, gjashtë vjet më parë, kjo u shpjegua si synim për komunikim më të lehtë me federatat e huaja dhe njohje më të madhe në motorët e kërkimit.
Pse ishte i nevojshëm ndryshimi? Kulturologia Milena Dragiçeviq Sheshiq konsideron se bëhet fjalë për politikën aktuale të shtetit. Ose, siç thotë ajo, ndaj presidentit të tij, Aleksandar Vuçiq, i cili dëshiron të bëjë gjithçka që “në një mënyrë relativisht të lirë mund të karakterizohet si një nismë patriotike”.
“Nxitja e ndryshimit të emrave të federatave të ndryshme sportive është dëshmi e besnikërisë ndaj regjimit”, vlerëson Dragiçeviq Sheshiq. Federatat sportive që kanë ndryshuar emrin nuk iu përgjigjën pyetjes së REL-it se pse ka ardhur deri te ndryshimi dhe nëse gjatë marrjes së vendimit kanë pasur parasysh sportistët që janë pjesëtarë të kombësive të tjera në Serbi.
E vetmja që u përgjigj ishte Federata Serbe e Vaterpolos, e cila tha se gjithçka lidhur me ndryshimin e emrit mund të gjendet në njoftimin e publikuar pas mbajtjes së Kuvendit më 1 korrik. Në atë njoftim thuhet se emri është ndryshuar në bazë të Statutit të ri, i cili u miratua në Kuvend më 1 korrik.
Federatat e Vaterpolos dhe Hendbollit thanë se Statuti i ri u miratua gjithashtu për harmonizim me Ligjin për Sportin, por edhe për rregullim më të qartë të punës së Federatës. Sipas Ligjit për Sportin, një federatë kombëtare sportive e një dege të caktuar përdor në emrin e saj emrin e Republikës së Serbisë, në përputhje me ligjin.
Ministria e Sportit e Serbisë nuk iu përgjigj pyetjes së REL-it për ndryshimin e emrit të disa federatave kombëtare sportive. Dragiçeviq Sheshiq, duke komentuar politikën sportive, thotë se shteti, në vend të investimit në zhvillimin e sportit, investon në stadiume dhe në atë që është e dukshme nga aspekti i marketingut.
Dhënien e përcaktimit “serb” federatave sportive ajo e sheh si synim të pushtetit për ta zgjeruar idenë “se vetëm kjo qeveri është mbrojtëse e serbizmit dhe e emrit serb”. Antropologia Svetlana Slapshak thotë për REL-in se “ndjenja për qytetaren është zhdukur shumë kohë më parë në regjimin që sot qeveris në Serbi”.
“Kur dikush ka nevojë të bëjë diçka të tillë në sport, kjo do të thotë vetëm kulmin e nacionalizmit dhe populizmit”, vlerëson ajo. Të dyja bashkëbisedueset kujtojnë se një situatë e ngjashme ishte edhe në fund të viteve ’80.
“Edhe në Jugosllavinë socialiste kishte të pakënaqur në Serbi për shkak të emrit Shoqata e Shkrimtarëve të Serbisë, dhe jo siç ishte në Kroaci – Shoqata Kroate e Shkrimtarëve apo në Slloveni”, tha Dragiçeviq Sheshiq./ REL
