Kroacia po vijon përballjen e saj me zjarret shkatërruese. Situata më kritike këtë të shtunë paraqitet në Dugi Otok, ku zjarri është përhapur në mënyrë të shpejtë, i favorizuar nga erërat e forta. Terreni i mbuluar nga shkurre të dendura e ka bërë të vështirë ndërhyrjen e forcave tokësore. Deri më tani, fatmirësisht, flakët nuk i janë afruar zonave të banuara.
Për shuarjen e flakëve në këtë zonë janë angazhuar rreth 100 forca zjarrfikëse, ndërsa u thirrën përforcime me 50 forca të tjera zjarrfikëse dhe 17 automjete. Për të ndihmuar në shuarjen e flakëve janë angazhuar edhe dy avionë Canadair.
Autoritetet kroate thonë se situata konsiderohet nën kontroll, përveç një vatre zjarri në zonën e Dinarës, pasi një zjarr nga Bosnje-Hercegovina kaloi në anën kroate të këtij territori, duke sjellë edhe angazhimin e forcave të ushtrisë për shuarjen e tij.
Situata e vështirë këtë të shtunë vjen pas zjarreve të një dite më parë në Omiš, që dogjën 900 hektarë, lanë pas një viktimë dhe 40 persona të plagosur, ku mes tyre 10 në gjendje kritike për jetën. Situata me zjarret është përshkallëzuar tashmë në Dalmaci. Zjarret e të premtes, përveç një personi të vrarë dhe 40 personave të plagosur, detyruan edhe evakuimin e mbi 1200 personave.
