Matthew McConaughey ka zbuluar se kishte zhvilluar bisedime për të luajtur rolin e Joel Miller në serialin e HBO-së, “The Last of Us”, por në fund vendosi të mos e pranonte projektin. Roli që u bë një nga personazhet kryesore të serialit përfundoi te Pedro Pascal.
Gjatë një interviste në podcastin “Happy Sad Confused” me Josh Horowitz, aktori 56-vjeçar tregoi se në atë periudhë nuk ishte i përqendruar te aktrimi dhe po ndiqte angazhime të tjera profesionale e personale. McConaughey tha se kishte pasur diskutime për rolin, por projekti nuk përputhej me atë që ai kërkonte në atë moment. “Në atë periudhë nuk isha shumë i fokusuar te aktrimi.
Po merresha më tepër me shkrim dhe me role udhëheqëse në jetën time.” Një tjetër faktor ishte kohëzgjatja e angazhimit. Sipas McConaughey, për një serial që rezulton i suksesshëm, aktori duhet të jetë i gatshëm të qëndrojë në projekt për disa vite. Roli i Joel Miller iu besua Pedro Pascal, i cili për interpretimin e tij në “The Last of Us” ka marrë dy nominime për Emmy.
Seriali, i bazuar në videolojën me të njëjtin emër, u shfaq për herë të parë në vitin 2023 dhe u kthye shpejt në një nga produksionet më të vlerësuara të HBO-së. Nga viti 2023 deri në 2025, “The Last of Us” ka marrë 40 nominime për Emmy dhe ka fituar nëntë çmime.
Bashkëkrijuesi dhe showrunner-i i serialit, Craig Mazin, kishte folur më herët për mundësinë e përfshirjes së McConaughey-t, duke e përshkruar si një diskutim fillestar. Pedro Pascal, ndërkohë, kishte qenë në listën e preferuar të ekipit që në fazat e para, edhe pse fillimisht nuk ishte i disponueshëm.
McConaughey kujtoi edhe eksperiencën e tij në “True Detective”, ku luajti përkrah Woody Harrelson në vitin 2014, në një periudhë kur kalimi i aktorëve të njohur nga kinemaja drejt serialeve televizive nuk ishte ende aq i zakonshëm. Aktori amerikan po promovon aktualisht filmin thriller “The Rivals of Amziah King”.
Për të, vendimi për “The Last of Us” lidhej edhe me pyetjen nëse ishte gati të angazhohej për një projekt që mund të zgjaste për vite.
