Vala e të nxehtit po përkeqëson situatën e zjarreve në disa vende të Evropës, me Francën, Kroacinë, Gjermaninë, Greqinë dhe Spanjën që po përballen me vatra të shumta dhe evakuime të banorëve dhe pushuesve. Në Francë, autoritetet kanë arrestuar 474 persona që nga fillimi i korrikut, të dyshuar për shkaktimin e zjarreve. Mes tyre janë 183 të mitur.
Sipas Ministrisë së Brendshme, rreth 70% e rasteve dyshohet se lidhen me zjarrvënie të qëllimshme, ndërsa pjesa tjetër me ndezje aksidentale. Një vatër e re në Luglon, në rajonin Landes, detyroi më shumë se 525 persona të largoheshin nga zona të premten. Brenda më pak se 24 orësh, zjarri përfshiu rreth 1,100 hektarë pyll pishe.
Në operacion janë angazhuar rreth 500 zjarrfikës dhe gjashtë avionë për hedhjen e ujit, ndërsa disa rrugë janë mbyllur. Situata është rënduar edhe në Kroaci, ku zjarri përfshiu banesa në një zonë turistike. Një person humbi jetën dhe 40 të tjerë u plagosën, ndërsa rreth 1,200 persona u evakuuan.
Në Gjermani, më shumë se 2,000 banorë u larguan nga shtëpitë e tyre pasi një zjarr pranë fshatit Gey u përhap me shpejtësi. Ndërhyrja e zjarrfikësve është vështirësuar nga prania e municioneve të pashpërthyera të mbetura nga Lufta e Dytë Botërore.
Në Greqi, zjarret kanë detyruar pushuesit të largohen nga plazhet e rrezikuara, ndërsa në Spanjë ushtria është përfshirë në operacionet për mbrojtjen e zonave dhe relikeve historike. Zjarret po përhapen në një periudhë me temperatura të larta dhe kushte të favorshme për përhapjen e flakëve, duke rritur presionin mbi shërbimet e emergjencës në disa vende evropiane.
