Kroacia po lufton një vatër të madhe zjarri që përfshiu bimësinë dhe shtëpitë në Lokva Rogoznica të enjten mbrëma (), duke detyruar rreth një mijë banorë dhe turistë të evakuohen, ka raportuar të premten Euronews . Më shumë se 150 zjarrfikës dolën në terren, derisa erërat e forta u dhanë vrull flakëve përmes pyjeve me pisha dhe drejt zonave të banuara në bregdetin e Adriatikut.
Disa shtëpi dhe automjete u dëmtuan, ndërsa u mbyll edhe rruga kryesore bregdetare që përshkon qytetin. Shumica e të evakuuarve u dërguan në Omis në afërsi, ku një palestër sportive u përdor si strehë e përkohshme. Autoritetet lokale kanë raportuar gjithashtu se disa njerëz pësuan djegie.
Flaka erdhi ndërsa Kroacia u përball me një valë të zgjatur të nxehtësisë verore, me temperatura të larta që rrisin rrezikun e zjarreve të mëtejshme përgjatë Adriatikut. Shefi i zjarrfikësve, Slavko Tuçakoviq, ka paralajmëruar se ekipet u përballën me një natë të vështirë dhe thirri përforcime nga pjesë të tjera të vendit.
Katër avionë “Canadair” me topa uji u vunë në gatishmëri në mëngjes pasi nuk mund të operonin natën. Erërat e forta ishin shkaktare të përhapjes së shpejtë të zjarrit, ka thënë nënkryetari të bashkisë Omisit, Ivan Pivçeviq. Një tjetër zjarr i madh në ishullin e afërt Brac u vu nën kontroll më herët të enjten. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
