Në kompleksin sportiv “Arben Zeka” në Brestovik të Pejës është zhvilluar edicioni i tetë i turneut evropian të tenisit “Peja Open”, në të cilin tenistët nga Bullgaria u dalluan me paraqitje të suksesshme, duke triumfuar në të dyja kategoritë individuale.
Në konkurrencën individuale te meshkujt, titulli i kampionit i takoi bullgarit Ivan Hristakiev, i cili në finalen e turneut mposhti izraelitin Adam Chashkin me rezultat 2-0 në sete, 6/3, 7/6. Edhe në konkurrencën e femrave triumfoi një teniste nga Bullgaria. Yuliana Dimitrova ishte më e mirë në finale ndaj ukrainases Anna Kliukovska, të cilën e mposhti bindshëm 6/3, 6/1.
Në konkurrencën e çifteve te meshkujt, titulli i kampionit i takoi dyshesë turko-kroate Berke Bozkurt/Lovre Marovic. Ata në finale triumfuan ndaj çiftit Ivan Hristakiev/Sergej Nikolic, me rezultat 6/2, 6/4. Finalja e dysheve te femrat solli një përballje mjaft interesante dhe dramatike.
Titullin e fituan ukrainasja Anna Kliukovska dhe tenistja nga Bosnja dhe Hercegovina Natalija, të cilat mposhtën çiftin kosovar Hana Veseli/Anesa Ismajli pas tri seteve, 6/3, 1/6, 10/7. Me përfundimin e “Peja Open”, aktivitetet e tenisit në Pejë do të vazhdojnë edhe gjatë dy javëve të ardhshme, ku në program janë turnetë World Tennis J30 Peja Open./ Telegrafi
