Mbi 2 mijë persona janë evakuuar nga shtëpitë e tyre në Gjermaninë perëndimore të premten, pasi një zjarr i madh pyjor pranë kufirit me Belgjikën u përhap në drejtim të një fshati. Banorëve të fshatit Gey iu kërkua të largoheshin rreth orës të mëngjesit dhe të strehoheshin në një qendër emergjence të ngritur në një shkollë fillore në një fshat aty pranë.
Kryetari i bashkisë, Stephan Cranen, tha se evakuimi kishte përfunduar, por situata mbetej kritike. Sipas transmetuesit publik rajonal WDR, zjarri ishte afruar deri në rreth 300 metra nga fshati. Një nga vatrat e zjarrit, e cila ende nuk është vënë nën kontroll, është përhapur gjatë natës në drejtim të një ish-depoje municionesh në qytetin e afërt të Dürenit.
Në zonat pyjore përreth ka ende municione të pashpërthyera që datojnë nga Lufta e Dytë Botërore. Për shkak të terrenit të vështirë dhe kodrinor, një pjesë e tyre nuk është hequr plotësisht, ndërsa gjatë përhapjes së zjarrit janë dëgjuar shpërthime të herëpashershme. Rreth 300 hektarë pyje janë përfshirë nga flakët.
Për të ndihmuar në përballimin e situatës, dy tanke të ushtrisë gjermane po u mundësojnë zjarrfikësve të hapin rrugë përmes zonave pyjore të vështira për t’u arritur. Zjarri ka shpërthyer në një periudhë kur pjesë të mëdha të Gjermanisë po përballen me kushte të thata dhe rrezik të lartë për zjarre pyjore. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
