FC Suhareka i ka ndezur motorët për sezonin e ardhshëm. Ky klub u riorganizua pak ditë më parë në prag të edicionit të ri dhe tash ka nisur t’i përvjelë mëngët. Pasi e zyrtarizoi trajnerin Muhamet Dragusha, klubi i Ligës së Parë ka nisur të bëjë përforcime për edicionin e ri, ku synon të jetë protagonist.
Vetëm dje e sot, suharekasit i kanë bërë katër përforcime, të cilat i kanë zyrtarizuar përmes faqes zyrtare në Facebook. Dje, fillimisht ekipi i verdhë e zyrtarizoi mesfushorin Diellor Beseni, i cili e përforcon kështu repartin ofanziv të ekipit. Më pas, suharekasit mirëseardhje i uruan portierit nga Libani, Mohamad Taha, i cili do të jetë gardiani i ri i ekipit.
Gjithashtu, dje Suhareka e mirëpriti edhe portierin tjetër, Malsor Bajraktari. Kurse sot, ky ekip njoftoi për rikthimin e lojtarit me përvojë, Liridon Fetahaj. Paraprakisht, ditë më parë suharekasit ishin përforcuar edhe me Agron Bruqin dhe Joseph Chigozie Okonkwo. Suhareka nuk e ka ndërmend të ndalet me kaq.
