Një 28-vjeçare është dënuar me gjashtë vite burg në Skoci, pasi u shpall fajtore për vdekjen e vajzës së saj vetëm tre muajshe. Courtney Gartsor u shpall fajtore për vrasje pa dashje, pasi vajza e saj, Dalia-Rose, ishte ekspozuar për një periudhë të gjatë ndaj temperaturave të larta nga një tharëse flokësh.
Ngjarja kishte ndodhur në shtator të vitit 2023, në një banesë në Peterhead të Aberdeenshire. Shërbimet e emergjencës ishin thirrur në vendngjarje, por foshnja ishte gjetur pa shenja jete. Gjatë gjykimit u bë e ditur se foshnja kishte pësuar djegie të rënda në rreth 18 për qind të sipërfaqes së trupit, përfshirë edhe kokën.
Gjyqtari Simon Collins e cilësoi rastin si “jashtëzakonisht tronditës dhe të dhimbshëm”, duke theksuar se 28-vjeçarja do të duhet të jetojë me faktin se ishte përgjegjëse për vdekjen e vajzës së saj. Avokati mbrojtës tha se Gartsor nuk kujtonte ta kishte përdorur tharësen e flokëve dhe nuk mund të jepte një shpjegim të qartë për përdorimin e saj.
Si mundësi u përmend se ajo mund të ketë tentuar ta ngrohte foshnjën. Gjykata dëgjoi gjithashtu se Gartsor kishte konsumuar alkool para ngjarjes, ndërsa në tharësen e flokëve ishin gjetur gjurmë të ADN-së së foshnjës.
Ekspertët ngritën edhe mundësinë që foshnja të kishte vdekur para se të pësonte djegiet, por juria e shpalli njëzëri 28-vjeçaren fajtore pas pak më shumë se një ore diskutimesh. Pas vendimit, autoritetet skoceze deklaruan se rasti kishte qenë jashtëzakonisht i rëndë për të gjithë personat e përfshirë në hetim dhe theksuan se fëmijët janë të pambrojtur dhe duhet të mbrohen.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
