Futbolli i femrave po përjeton një ekspansion botëror, ku sigurisht prijëse janë SHBA-ja, vendet skandinave, por edhe pjesa më e madhe e Evropës. Prej vitesh, ky sport po përhapet gjithnjë e më shumë te femrat, të cilat ngadalë, por sigurt, po zënë vendin e tyre në hartën botërore të sportit. Maqedonia, nga ana tjetër, realisht nuk mbetet shumë prapa në këtë segment.
Vitet e fundit, futbolli i femrave është gjithnjë e më i pranishëm në skenën e Maqedonisë. Është krijuar liga, ndërsa kombëtaret nga kategoritë e reja deri te ajo seniore kanë filluar të lënë gjurmë, të fitojnë rëndësi dhe pritet që në periudhën e ardhshme të kemi edhe rezultate më konkrete. Nëse jo për diçka tjetër, të krijojmë një bazë të futbollisteve që do të mund të dalin në Evropë.
Pioniere në këtë histori të futbollit të femrave në Maqedoni është padyshim Gentijana Roçi. Reprezentuesja e Maqedonisë, e cila është e ftuar në emisionin “Tregime sportive të femrave”. Vajza që nga vendlindja e saj, Struga, nisi rrugëtimin në futboll dhe arriti të fitojë trofe në Skandinavi, por edhe në arenën ndërkombëtare.
Ajo asnjëherë nuk e harroi përfaqësuesen dhe me krenari ka luajtur ndër vite për Maqedoninë. Si hyri Gentijana Roçi në botën e futbollit? Në cilin moment të fëmijërisë e kuptove se talenti për futboll ishte i mjaftueshëm për të të mundësuar një karrierë profesionale? “Sinqerisht, dashuria për futbollin më erdhi shumë spontanisht.
Kur isha e vogël, gjithmonë luaja me djemtë në lagjen time dhe, sinqerisht, kjo ishte gëzimi im më i madh. Nuk kishte shumë vajza që luanin, por kjo asnjëherë nuk më ndaloi; përkundrazi, më motivonte. Në një moment, kur fillova të stërvitesha më seriozisht dhe kur pashë se mund të garoja në një nivel më të lartë, kuptova se kisha potencial.
Atëherë fillova të besoja se mund të merresha profesionalisht me futboll. Ndoshta kjo ishte edhe për shkak se babai im gjithashtu merrej profesionalisht me futboll”, t hotë Gentijana Roçi në fillim të bisedës me “Tregime sportive të femrave”. Në cilin moment futbolli nga argëtim u shndërrua në një detyrim profesional për ty? “Mendoj se ai moment erdhi gradualisht.
Nuk ishte një moment i vetëm, por një proces i tërë që ndodhi hap pas hapi. Kur fillova të luaja në nivel klubesh, të merrja mundësi dhe pashë se puna ime po shpërblehej, atëherë realisht u hap edhe mundësia që të merresha profesionalisht me futboll dhe, siç thuhet, të jetoja prej tij.
Sidomos kur erdhi mundësia të shkoja jashtë vendit, atëherë nuk kisha më dilemë se futbolli do të ishte rruga ime e jetës”. Si reagoi familja jote ndaj gjithë kësaj? Si e priti realitetin që Gentijana Roçi do të merrej profesionalisht me futboll? “Sinqerisht, nuk ishte e lehtë. Vij nga një mjedis ku ende ekzistojnë disa stereotipe, sidomos për gratë në sport.
Në fillim, po, kishte mjaft pyetje dhe dilema, por familja ime e di mirë se sa këmbëngulëse jam kur vendos diçka. Me kalimin e kohës, kur familja ime pa se sa e përkushtuar isha, sa shumë dëshiroja të kisha sukses dhe se po arrija sukses në futboll, mora mbështetje të jashtëzakonshme prej tyre. Tani, normalisht, familja ime është mbështetja ime më e madhe.
Tifozët e mi më të zjarrtë.” Largimi në Gjermani sigurisht se nuk ishte i lehtë? Si erdhi transferimi yt i parë ndërkombëtar? “Transferimi i parë i madh ishte një hap jashtëzakonisht i rëndësishëm për mua. Erdhi si rezultat i shumë punës, paraqitjeve të mira dhe njerëzve që besuan tek unë. Gjermania ishte një sfidë, një mjedis i ri dhe një nivel më i lartë i futbollit.
Nuk ishte e lehtë të përshtatesha, por sigurisht që pati ndikim të madh tek unë, si lojtare dhe si person. U pjekura në çdo aspekt. Ai hap ishte i domosdoshëm në atë moment që të vazhdoja të zhvillohesha si sportiste dhe ta shfrytëzoja talentin që kam.” Pasoi transferimi në Finlandë…
A mund ta quash KuPS-in shtëpinë tënde të dytë, duke pasur parasysh se për këtë klub ke zhvilluar pothuajse 200 ndeshje? “Po, mund të them lirisht se KuPS-i për mua është si shtëpia e dytë. Këtu gjeta stabilitet, mbështetje dhe një mjedis ku mund të jap maksimumin. Ndihem e respektuar dhe kjo ka shumë rëndësi për një sportiste”.
Në fund, duhet ta përmendim edhe Përfaqësuesen e Maqedonisë si temë në këtë bisedë. Çfarë përfaqëson për ty kombëtarja? “Maqedonia gjithmonë do të ketë një vend të veçantë në zemrën time. Është një nder dhe krenari e jashtëzakonshme të përfaqësosh shtetin nga i cili vjen, ku ke lindur.
Gjithmonë kam qenë maksimalisht e përkushtuar kur kam luajtur për Maqedoninë, që nga mosha e vogël, siç thuhet. Sa u përket paraqitjeve të mia në të ardhmen për Maqedoninë, gjithmonë jam e hapur ndaj mundësisë për të ndihmuar, nëse ende kam kapacitetin për ta bërë këtë. Por duhet ta kuptojmë një gjë. Duhet të përmirësohen kushtet për futbollin e femrave në Maqedoni në përgjithësi.
Duhet të ketë klube serioze, investime dhe sponsorizime. Liga e futbollit të femrave duhet të bëhet më e respektueshme dhe më cilësore. Gjendja aktuale është zhgënjyese, këtë duhet ta them. Shumë prej atyre vajzave të reja kanë cilësi dhe kapacitet për të përparuar, për t’u bërë më të mira dhe për ta realizuar ëndrrën e tyre për të luajtur jashtë vendit.
Unë e di se kjo është e mundur, por duhet të punohet shumë. Realiteti është ky. Maqedonia aktualisht nuk mund t’u ofrojë kushtet e nevojshme për të përparuar. Nëse duam një përfaqësuese të fortë, duhet të fillojmë nga fillimi. Duhet të krijohet një bazë. Nga klube të organizuara mirë, me futbolliste cilësore, të cilat do të kenë mundësi ta tregojnë talentin e tyre.
Fatkeqësisht, këtë nuk e shoh në Maqedoni për momentin. Dhe kjo më dhemb shumë. Nuk mund ta kuptoj pse është kështu. Sistemi ynë thjesht nuk funksionon”, përfundon njëra nga futbollistet më të mira të të gjitha kohërave në Maqedoninë e Veriut, Gentijana Roçi.
