Kujtimet e Kiyoshi Tanimotos rikujtojnë momentin tronditës kur ai pa hedhjen e bombës atomike, të cilën e konsideronte “gjykim të Zotit” mbi qytet. Nga: Christopher Harding / The Telegraph Përkthimi: Telegrafi.com Në një mbrëmje, në maj të vitit 1955, publiku amerikan pa në televizion zhvillimin e një momenti të jashtëzakonshëm.
Kiyoshi Tanimoto, një pastor i krishterë nga Hiroshima i cili kishte kaluar një dekadë duke punuar mes viktimave dhe rrënojave të lëna nga bomba atomike, u bë i nderuari i emisionit This Is Your Life .
Në një skenë të rregulluar si dhomë ndenjeje në studiot e NBC-së në Los Anxhelos, Tanimoto – i cili ndodhej në ShBA për të mbledhur fonde për viktimat japoneze të luftës – e gjeti veten të ulur me drejtuesin e emisionit, Ralph Edwards, ndërsa buçisnin tingujt e regjistruar paraprakisht të trumbetave dhe një varg të ftuarish befasues kalonin përmes harkut të famshëm të emisionit.
I pari që u shfaq ishte misionari metodist i cili shumë vite më parë e kishte njohur Tanimoton me krishterimin. Më pas erdhën gruaja dhe fëmijët e Tanimotos, të cilët kishin ardhur me aeroplan nga Japonia me pasaporta të rregulluara me ngut.
Pastaj hyri një burrë për të cilin thuhej se kishte munguar në provën e programit dhe se ishte nxjerrë nga një bar pikërisht në kohë për paraqitjen e tij. Ai përpiqej, pa sukses, t’i përmbante lotët; shtrëngimi i dorës me Tanimoton, fytyra e të cilit mbeti e ngrirë, qe i shkurtër. Robert A. Lewis kishte qenë bashkëpiloti [i aeroplanit] Enola Gay .
Lexo po ashtu: – Rrëfimi i një fizikani amerikan për bombardimin atomik të Nagasakit – Pse nazistët nuk e bënë bombën e parë atomike? – Letra që ndryshoi rrjedhën e historisë – Dr.
Strejnxhlovi, 60 vjet pas: Misteri i kryeveprës së Kubrickut për Luftën e Ftohtë – “Oppenheimer” është film i mirë për njeriun e gabuar – Ti dhe bomba atomike Kiyoshi Tanimoto Më shumë se 70 vjet më vonë, vajza e Tanimotos, Koko Kondo, e kujton këtë takim në parathënien e saj të Hiroshima, – kujtimeve të humbura prej kohësh të babait të saj për bombardimin atomik.
Libri jep në mënyrë intriguese një ide për ndërthurjen e pikëllimit dhe cinizmit që qëndroi në themel të rivendosjes së marrëdhënieve ShBA-Japoni pas luftës. Ai i çon lexuesit nga shkatërrimi dhe vuajtjet marramendëse që iu shkaktuan Japonisë – të dëshmuara nga Tanimoto – te pyetjet rreth domethënies morale dhe historike të asaj që bëri Amerika.
I lindur në vitin 1909 dhe i rritur si budist, Tanimoto u konvertua në krishterim kur ishte i ri. Studioi në Universitetin Emori në Shtetet e Bashkuara, zotëroi rrjedhshëm anglishten dhe u njoh mirë me vlerat e krishtera amerikane.
Pasi u kthye në Japoni dhe po punonte si pastor në Hiroshimë, ai ndodhej rreth dy milje jashtë qendrës së qytetit kur bomba atomike ra në orën të mëngjesit, më . Tanimoto kujton se vështroi horizontin dhe pa një “vezullim të mprehtë drite që çau një re të zbehtë ngjyrë kafe”. Teksa u hodh përtokë, ndjeu një shpërthim të fuqishëm ere që kaloi pranë tij.
Distanca dhe topografia ia shpëtuan jetën. Pjerrësia e një kodre aty pranë bëri që pjesa më e rëndë e valës së shpërthimit të kalonte mbi të.
Një fotografi ajrore e Hiroshimës pak pasi u hodh bomba atomike “Little Boy” Foto: Universal History Archive/UIG via Getty Images Të gjithë kishin pritur një sulm ajror amerikan: shumë qytete japoneze ishin bombarduar gjatë muajve të fundit dhe Hiroshima ishte qendër e rëndësishme industriale.
Por, ndërsa Tanimoto nisi të kthehej drejt Hiroshimës, u bë e qartë se diçka nuk ishte aspak në rregull. Shumica e njerëzve me të cilët foli nuk kishin parë asnjë aeroplan në qiell atë mëngjes, ose kishin parë vetëm një. E, megjithatë, në tokë dukej sikur çdo pjesë e qytetit ishte goditur njëkohësisht dhe me një intensitet shkatërrues.
“A mos vallë kisha qenë duke ëndërruar më parë”, pyeste veten Tanimoto, “dhe nuk kisha ditur për një sulm të jashtëzakonshëm ajror që kishte goditur Hiroshimën? Fillova të vija në dyshim veten dhe madje të dyshoja në shqisat e mia … I gjithë qyteti ishte mbuluar nga re të errëta, ndërsa zjarret e mëdha po shpërthenin në drejtime të ndryshme … Isha tmerrësisht i frikësuar”.
Pamje e pjesshme ajrore e rrënojave të Hiroshimës, disa ditë pas bombardimit atomik (gusht 1945) Foto: Mondadori Portfolio/Getty Images Tanimoto nxitoi të shihte se çfarë kishte ndodhur me familjen dhe kishën e tij.
Duke ardhur nga drejtimi i kundërt, hasi një kortezh të çuditshëm, makabër: njerëz që mezi ecnin, me rrobat dhe flokët djegur, të mbështetur në shkopinj ose te të afërmit, ndërsa arrinin të largoheshin ngadalë nga gjithçka që Tanimoto ishte gati të shihte. Lagje të tëra ishin zhdukur. Ushtarët ishin nëpër rrugë, duke derdhur gaz mbi pirgje trupash të pajetë dhe duke u vënë zjarrin.
Ata që ishin ende gjallë thërrisnin për ujë dhe Tanimoto ndaloi të bënte çfarë mundej, përpara se të nxitonte më tej. Gjatë rrugës, gjeti gruan dhe vajzën e tij foshnjë. Të dyja kishin mbijetuar, megjithëse rrobat e së shoqes ishin të mbuluara me gjak dhe pamja e saj ishte “si e një fantazme”. Shpejt, qytetarët e Hiroshimës e kuptuan se arma misterioze nuk e kishte përfunduar veprimin.
Ajo e shndërroi çështjen e mbijetesës në një pyetje që nuk kërkonte një çast për të marrë përgjigje, por javë, muaj, madje edhe vite. Njerëz të panumërt që atë ditë pësuan vetëm lëndime të lehta, më vonë panë se flokët po u binin, mishrat e dhëmbëve po u gjakosnin, gjymtyrët po u mpiheshin dhe në trup po u shfaqeshin njolla kuqezi – shenjat e asaj që më vonë u quajt “sëmundja atomike”.
Një burrë i plagosur në Hiroshimë, pas sulmit me bombë atomike Foto: Dukas/Getty Images Kujtimet e Tanimotos, të shkruara dy vjet më vonë, i rrëfenin të gjitha këto pa fraza të rëndomta apo pretendime letrare.
Qoftë nëse kjo pasqyron personalitetin e tij, qoftë faktin se po shkruante në gjuhën e tij të dytë – anglishten – dhe jo në gjuhën e tij të parë, kjo është vetëm në të mirë të veprës. Disa çaste të historisë janë aq tronditëse, aq zemërthyese, saqë vetëm t’i përshkruash do të thotë t’i dënosh.
E, megjithatë, Tanimoto nuk i shmanget domethënies së asaj që i ndodhi qytetit dhe popullit të tij – përkundrazi. Në një nga pasazhet e tij më prekëse, ai madje argumenton se Hiroshima e kishte merituar atë që i ndodhi. Qyteti, vërente ai, ishte një “pikënisje për agresionin ushtarak kundër Koresë, Mançurisë dhe Kinës”: Në çdo rast të tillë, qyteti fitonte në mirëqenie.
Ai u bë qytet i industrisë dhe arsimit, por ishte i dënuar me fatin me të cilin duhet të përballet një qytet militarist. Hiroshima ishte e lidhur me vrasjet masive të kryera nga ushtria japoneze në Nanking, Kinë (1937), dhe Manila (1945). Ishte qytet i mallkuar. Dhe, këtu, Zoti kishte dhënë gjykimin e Tij. Asgjësimi i Hiroshimës dhe Nagasakit, sipas Tanimotos, ishte një pikë kthese.
Transmetimi i dorëzimit nga perandori më 15 gusht dhe humbja e autoritetit të tij politik sipas Kushtetutës së vitit 1947, e kishin përjashtuar atë si pikë qendrore për një Japoni të re. Ndërkohë, budizmi kishte rënë deri në atë pikë saqë shërbente thjesht si një shërbim funerali, i kontrolluar nga drejtues tempujsh që ishin më së shumti të interesuar t’u shërbenin klientëve të pasur.
Përfundimi i Tanimotos, me të cilin disa prej arkitektëve të pushtimit aleat do të kishin qenë plotësisht dakord, ishte se Japonia duhej të përqafonte demokracinë dhe krishterimin.
Rëndësia e Tanimotos si dëshmitar okular në Hiroshimë nuk mund të nënvlerësohet, ashtu si edhe rëndësia e tij si dikush që punoi pa u lodhur – ndonjëherë ndërsa ishte në prag të vdekjes nga rraskapitja dhe sëmundja – për t’u kujdesur për njerëzit dhe për të rindërtuar qytetin.
Në javët e para pas bombardimit, ai luftoi zjarret, transportoi fqinjët përtej një lumi drejt një vendi të sigurt dhe ofroi lutje e liturgji për të vdekurit. Më vonë, ai i ndihmoi njerëzit të orientoheshin në burokracinë e rrënuar të Japonisë, ndërsa kërkonin pagesat e sigurimit nga zjarri dhe të sigurimit të jetës nga të cilat varej rindërtimi i jetës së tyre.
Por, Tanimoto ka rëndësi edhe për dritën që jeta e tij hedh mbi përpjekjet amerikane për të kuptuar atë që kishte bërë vendi i tyre. Hiroshima, na jep një pjesë të kësaj, veçanërisht takimin e Tanimotos me gazetarin John Hersey, libri i të cilit, Hiroshima (1946), i hapi sytë botës ndaj shkatërrimit të qytetit dhe potencialit shkatërrues të armëve atomike.
Por, mësojmë relativisht pak për kritikat me të cilat u përball Tanimoto në Japoni kur, për shembull, dërgoi në Amerikë 25 gra të shpërfytyruara nga bomba atomike, në mënyrë që ato t’i nënshtroheshin kirurgjisë rindërtuese.
“Vajzat e Hiroshimës”, siç njiheshin ato, morën një mbulim të gjerë mediatik, duke bërë që kjo nismë të dukej disi si një veprim publicitar që synonte të qetësonte ndërgjegjen e amerikanëve, ndërkohë që i kujtonte botës se ata shkëlqenin në teknologjitë e paqes po aq sa edhe në ato të luftës.
Një hyrje që do të thellohej më shumë në jetën e Tanimotos mund t’u kishte dhënë lexuesve një perceptim më të plotë të kësaj figure të veçantë, por vazhdimisht të debatueshme.
“Vajzat e Hiroshimës” u dërguan në ShBA për operacione për dëmtimet e shkaktuara nga bomba atomike Foto: Bettmann Paraqitja e Tanimotos në This Is Your Life ndihmoi si në mbledhjen e fondeve për operacionet e “Vajzave”, ashtu edhe na kujton sot kotësinë e përpjekjes për t’i ndarë politikën, humanitarizmin dhe botën e spektaklit.
Në pjesët e tij më të mira, ky libër i jashtëzakonshëm me kujtime, arrin t’i kapë këto marrëdhënie të mjegullta. Hibakushat e fundit të Japonisë – viktimat e bombave atomike – po i afrohen fundit të jetës së tyre, megjithatë bota nuk është aspak më pranë çarmatimit bërthamor për të cilin shumë prej tyre shpresuan dhe bënë fushatë.
Tani, më shumë se kurrë, kemi nevojë për atë që na jep Tanimoto: një kujtesë të freskët dhe të gjallë të tragjedive që këto armë u shkaktojnë të pafajshmëve.
