Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka ndarë diplomat për 100 kadetët e rinj të Shërbimit Korrektues të Kosovës, të cilët diplomuan sot, pas 23 javësh trajnime. Kurti në fjalën e tij u tha 100 kadetëve të rinj se të jesh zyrtar korrektues është përgjegjësi e madhe, e cila kërkon disiplinë, integritet dhe përkushtim për sigurinë, rendin dhe dinjitetin e personave të privuar nga liria.
Ai tha se Kosova pret shumë nga 100 zyrtarët e rinj të Shërbimit Korrektues, pasi tha se pas çdo rekrutimi qëndron një përgjegjësi e pas çdo zyrtari qëndron besimi i qytetarëve dhe mbështetja e institucioneve. “Sot 100 të rinj e të reja po përmbyllin me sukses përgatitjen e tyre profesionale, dhe po ecin me detyrën e re në shërbim të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës.
Të jesh zyrtar korrektues është përgjegjësi e madhe e cila kërkon disiplinë, integritet dhe përkushtim për sigurinë, rendin dhe dinjitetin e personave të privuar nga liria. Kosova ka nevojë për ju dhe pret shumë prej jush. Në 3 vitet e fundit janë rekrutuar rreth 400 zyrtarë korrektues.
Ky është një investim i rëndësishëm në fuqizimin e kapaciteteve njerëzore dhe në ndërtimin e një shërbimi korrektues modern, profesional dhe stabil. Pas çdo rekrutimi qëndron një përgjegjësi, pas çdo uniforme qëndron një detyrë dhe pas çdo zyrtari qëndron besimi i qytetarëve dhe mbështetja e institucioneve.
Kosova po zhvillon një shërbim korrektues i cili gjithnjë po fiton vlerësimin dhe respektin e partnerëve ndërkombëtarë. Sot, Shërbimi Korrektues i Kosovës është anëtar i organizatave ndërkombëtare si Organizata Evropiane dhe Shërbimeve Korrektuese EUROPRIS dhe Asociacioni Ndërkombëtar i Korrektimit dhe Burgjeve ICPA dhe gjithnjë e më shumë po e fiton besimin e të gjithë partnerëve mbarë globit”, tha Kurti, raporton KP.
E pranishme në këtë ceremoni ishte edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, e cila tha se 100 zyrtarët e rinj pas trajnimeve të marra janë mëse të përgatitur për të shërbyer në një fushë ku përgjegjësia e shtetit është e madhe.
“Sot është një ditë kur ju po e përmbyllni një etapë të rëndësishme dhe nisni një detyrë e cila kërkon dhe pret shumë, ndoshta shumë më tepër sesa që mund ta imagjinojmë ne që jemi jashtë institucionit prej atyre që e ushtrojnë.
Pas 23 javësh trajnimi profesional në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, unë jam e bindur se ju jeni mëse të përgatitur për të shërbyer në një fushë ku përgjegjësia e shtetit është veçanërisht e madhe sepse aty ku njeriut i kufizohet liria, aty shteti ka detyrimin jo vetëm të garantojë rendin e sigurinë, por edhe të sigurojë që ligji të zbatohet drejt dhe dinjiteti njerëzor të respektohet në çdo rrethanë.
Puna e një zyrtari korrektues kërkon disiplinë, kërkon vendosmëri po aq sa kërkon maturi, vetëpërmbajtje dhe gjykim të shpejt dhe të drejtë. Do të përballeni me situata të vështira, do të ju duhet të merrni vendime nën presion dhe të ushtroni autoritet në rrethana në të cilat kufiri mes vendosmërisë dhe teprimit duhet të jetë gjithmonë i qartë.
Pikërisht këtu do ta dëshmoni profesionalizmin tuaj. Shërbimi Korrektues i Kosovës është pjesë thelbësore e sistemit të drejtësisë, sepse drejtësia nuk përfundon me shqiptimin e një vendimi gjyqësor, ajo dëshmohet edhe në mënyrën se si zbatohet ai vendim”, tha ajo.
E, Drejtori i Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues, Ismail Dibrani, tha se 100 zyrtarët e rinj, nga sot, janë ata që do të garantojnë sigurinë, rendin dhe disiplinën në institucionet korrektuese. Dibrani tha se zyrtarët korrektues duhet të garantojnë sigurinë por edhe të krijojnë mundësi për rehabilitim, ri-integrim dhe ndryshim për personat që hyjnë në një institucion korrektues.
“Nga dita e sotme, ju do të jeni ata që do të garantoni sigurinë, rendin dhe disiplinën në institucionet tona korrektuese, por puna juaj do të jetë shumë më tepër se kaq.
Ne kemi një mision më të gjerë, ne duhet të garantojmë sigurinë por njëkohësisht të krijojmë mundësi për rehabilitim, ri-integrim dhe ndryshim sepse për çdo person që hyn në një institucion korrektues duhet të ekzistojë mundësia që një ditë të kthehet në shoqëri si njëri i dobishëm për shoqërinë dhe i përgjegjshëm dhe në këtë proces roli i juaj është jashtëzakonisht i rëndësishëm.
Ndoshta një ditë, fjalët e juaja, një vendim i drejtë, një sjellje profesionale apo një mundësi që i jepni dikujt për të ndryshuar, mund të ketë ndikim shumë më të madh sesa mund ta imagjinoni sot”, tha Dibrani.
