Dhëndri i Hashim Thaçit pretendon se u përjashtua nga policia:

0%

Arben Visoqi, dhëndri i ish- Presidentit Hashim Thaçi, ka njoftuar se është përjashtuar nga Policia e Kosovës, ndërsa pretendimet e tij janë se ai po përndiqet politikisht e familjarisht. Këto pretendime Visoqi i ka bërë publike në rrjetin social Facebook në të cilin edhe ka njoftuar se pas 26 vitesh si punonjës dhe më pas si epror, më kishte pranuar një vendim për largimin e tij nga puna.

“Akuza: Do i kem qitur hije të zezë imazhit të Policisë së Kosovës me postime private në Facecebook, duke më ngarkuar me shkelje të rëndë disiplinore, duke më mveshur sikur ta përdorja Facebookun në uniformë apo në emër të policisë!”- ka shkruar Visoqi për vendimin që pranoi nga menaxhmenti i policisë.

Sipas pretendimeve të Visoqit, e gjitha nisi me një rast disiplinor të iniciuar nga partia në pushtet Vetëvendosje me disa ankesa anonime.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Rasti disiplinor është iniciuar nga Vetëvendosje me ankesa anonime ndërsa eksponentë brenda Policisë së Kosovës, bartës të tre organeve kryesore për luftim të dukurive negative dhe disiplinës së brendshme, për të njëjtën çështje kanë shfrytëzuar rastin që të më hakmerren për shkak të raporteve sinjalizuese ndaj tyre, duke më hapur edhe një rast tjetër” – thuhet tutje në postimin e Visoqit në Facebook.

Visoqi thotë se menaxhmenti i policisë nuk trajtoi sinjalizimet dhe mbrojtjen e sinjalizuesve por trajtoi denoncuesin e krimit. Po ashtu Visoqi përmend edhe faktin se përveç tij, edhe gruan e tij e kishin degraduar në pozitë në Postën e Kosovës.

“Dhe, as unë as bashkëshortja ime nuk jemi të vetmit familjar të Hashim Thaçit që përndiqet politikisht dhe familjarisht nga kjo parti dhe lideri frikacak i tij. Privilegj të jem dhëndër i Hashim Thaçit, daja i 3 djemve të mi! Jam shumë me fat…!”- ka shkruar Visoqi. KALLXO.com ka kërkuar nga ana e Policisë së Kosovës një sqarim në lidhje me rastin.

Deri në publikimin e këtij artikulli të njëjtit nuk kanë kthyer ndonjë përgjigje. Gjithashtu KALLXO.com ka kërkuar që të marrë edhe një përgjigje nga Lëvizja Vetëvendosje me pretendimet e Visoqit, por nga zyra kemi pranuar shkurt përgjigje se policia duhet të jap sqarime për ngjarjen.

Burimi: Kallxo