Partia Demokratike e Kosovës ka vazhduar edhe sot aksionin para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës, ku deputetët e saj janë vendosur në hyrje të Kryeministrisë. Sipas PDK-së, qëllimi i këtij aksioni është që kryeministri në detyrë, Albin Kurti, të mos qëndrojë në Qeveri, por të shkojë në Kuvend për procesin e konstituimit të institucioneve.
“Edhe sot jemi para Qeverisë për t’i thënë Albin Kurtit dy gjëra: E para, në këtë ndërtesë je uzurpator. E dyta, eja në Kuvend që ta konstituojmë atë. Hape rrugën për funksionimin e institucioneve”, thuhet në njoftimin e PDK-së. Partia ka bërë të ditur se aksioni do të vazhdojë, siç thotë ajo, deri në rikthimin e rendit kushtetues dhe funksionimin e institucioneve.
Për aksionin ka reaguar edhe deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, i cili i është drejtuar Kurtit me kërkesën që ta lirojë zyrën. “PDK nuk zbrapset. Liroje zyrën o deputet uzurpator”, ka shkruar Hoxhaj. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
