Shpërndaje në: I janë dashur pesë vjet Prokurorisë Speciale për të ngritur aktakuzë ndaj 4 zyrtarëve, për tenderin që i ishte dhjetëfishuar vlera.
Rasti u deponua në organin e akuzës në vitin 2021, rreth një muaj pasi KOHA raportoi se për kontratën e parashikuar në vlerë 500 mijë euro për mirëmbajtjen e urave në rrugët nacionale dhe regjionale, kompanisë i ishin paguar rreth 5 milionë e 375 mijë euro Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë të enjten ndaj katër zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës, që kanë inicialet B.R., B.H., R.Q. dhe N.L., nën dyshimin se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare gjatë realizimit të një kontrate publike për mirëmbajtjen e urave në rrugët nacionale dhe rajonale të Kosovës.
KOHA pati raportuar për dyshimet qysh në vitin 2021. Bëhet fjalë për tenderin “Mirëmbajtja e urave në rrugët nacionale dhe regjionale të Kosovës 2017-2019”. KOHA pati raportuar në atë kohë se kontrata ishte parashikuar të jetë 500 mijë euro, ndërsa kompanisë i ishin paguar rreth 5 milionë e 375 mijë euro.
E të enjten, Prokuroria Speciale ka konfirmuar këtë duke njoftuar se veprimet për të cilat akuzohen të pandehurit kanë ndodhur në periudhën nga 2 gushti 2017 deri më , në kohën kur ata ushtronin funksione zyrtare në Ministrinë e Infrastrukturës.
Prokuroria pretendon se të pandehurit kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore dhe nuk kanë përmbushur detyrat zyrtare lidhur me inicimin, prokurimin, menaxhimin, autorizimin, certifikimin dhe pagesën e kontratës publike “Mirëmbajtja e Urave në Rrugët Nacionale dhe Rajonale të Kosovës për vitet 2017-2019”.
Edhe Arbëri 45 min. më parë Haziri: Kemi qenë përherë besë e shpresë për Republikën Në aktakuzë thuhet se aktiviteti i prokurimit ishte iniciuar me një vlerë të parashikuar prej 500 mijë eurosh, ndërsa pagesat e realizuara në kuadër të kontratës kanë arritur në 5 milionë e 377 mijë e 58 euro.
Sipas Prokurorisë Speciale, kjo është bërë në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Prokurimin Publik, Rregulloren dhe Udhëzimin Operativ për Prokurim Publik, si dhe me Rregullën Financiare për Shpenzimet e Parasë Publike.
Të pandehurit akuzohen gjithashtu se kanë nënshkruar dhe certifikuar raporte të punimeve në të cilat janë paraqitur sasi shumëfish më të larta se ato të përcaktuara në dosjen e tenderit. Sipas aktakuzës, këto punime janë realizuar pa aneks-kontratë, pa zhvilluar procedurë të re të prokurimit dhe pa verifikim të rregullt nga komisioni përgjegjës për pranimin e punëve.
Përveç përgjegjësisë penale, Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës që ndaj të pandehurve të shqiptohet edhe dënimi plotësues – ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik. Për herë të parë, për tenderin raportoi KOHA në 2021-n.
Hulumtimi gjeti se në gushtin e vitit 2017, në njoftimin për hapjen e tenderit, vlera totale e parashikuar ishte 500 mijë euro, kontrata është nënshkruar për vlerën 432 mijë euro, ndërsa kompanisë i janë paguar 5 milionë e 375 mijë euro. Proceduralisht, një praktikë e tillë është e pazakontë.
Para se të hapet një proces i prokurimit, institucioni, në këtë rast Ministria e Infrastrukturës, është dashur të nënshkruajë deklaratë të disponueshmerisë së mjeteve, me të cilën tregon sa para ka në dispozicion dhe të njëjtën t’ia dorëzojë Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik. Në këtë deklaratë institucioni ka thënë se i ka në dispozicion 500 mijë euro për këtë tender.
Kjo dëshmohet në njoftimin për hapje të tenderit, ku thuhet se vlera totale është gjysmë milioni euro. Një gjë e tillë parashihet në Ligjin për Prokurim Publik.
Edhe Arbëri 1 o. më parë Largohen nga tregu 7 produkte qumështi që nuk kanë deklaruar përmbajtjen e vajit të palmës “Deklarata e tillë e nevojave dhe vendosshmërisë për disponueshëmrinë e fondeve do t’i përmbajë informatat në vijim: (i) një deklaratë të nevojave me shkrim, e cila i përmbledh rezultatet e vlerësimit të nevojave që është bërë nga autoriteti kontraktues sipas paragrafit 1. të këtij neni, (ii) një deklaratë me shkrim që konfirmon disponueshmërinë e fondeve, që demonstron se autoriteti kontraktues i ka përmbushur obligimet e tij sipas paragrafit 2. të këtij neni”, thuhet në këtë ligj.
Pas një procesi të gjatë, ishte nënshkruar kontrata në vlerë mbi 4 milionë euro, ndonëse në buxhet në vitin 2017 kanë qenë të parapara për këtë projekt vetëm 200 mijë euro, e në vitin 2018 rreth 300 mijë euro. Ligjërisht, edhe nëse tenderi është i hapur, në këtë rrethanë bëhet ndërprerja e aktivitetit të prokurimit, edhe nëse është në proces e sipër.
“Autoriteti kontraktues mund ta përfundojë atë aktivitet të prokurimit, i cili nuk do të rezultojë në dhënien e kontratës vetëm për njërën nga arsyet: shkelja e ligjit aktual ka ndodhur apo do të ndodhë në procedurën e prokurimit, e cila nuk mund të rregullohet apo të parandalohet përmes një amendamenti ligjor të kushteve të prokurimit, duke përfshirë edhe rastet ku një dispozitë e këtij ligji kërkon anulimin e aktivitetit të prokurimit; të gjithë tenderët e përgjegjshëm përmbajnë çmime që në masë substanciale e tejkalojnë buxhetin e autoritetit kontraktues për aktivitetin e prokurim”, thuhet në Ligjin e Prokurimit Publik.
Kompania, me nënshkrimin e kontratës, është e obliguar që si sigurim financiar ta deponojë vlerën prej 10 për qind nga totali i kontratës. Ka deponuar 30 mijë euro, vlerë e cila nuk përputhet me 10-përqindëshin e shumës që e ka paguar Ministria e Infrastrukturës. Fitues i këtij tenderi, ka qenë operatori “Famis”.
Në një bisedë të shkurtër telefonike në kohën kur KOHA ka realizuar hulumtimin, drejtori i kësaj kompanie, Bekim Bytyqi, pati mohuar se vlera e parashikuar e kontratës ishte gjysmë milioni euro. “Kontrata nuk ka qenë 500 mijë euro, por 4 milionë e 352 mijë euro. Ndoshta 500 mijë euro ka qenë një njësi”, ka thënë ai. Por, në dosjen e tenderit askund nuk thuhet që bëhet fjalë për njësi.
Edhe Arbëri 1 o. më parë Osmani: Të zgjidhet një president që e mbron Kushtetutën dhe vendin Pas hulumtimit, në Prokurorinë Speciale ishte deponuar një dosje, për të cilën zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, pati thënë se përmban fakte të mjaftueshme për të evidentuar një korrupsion të hapur dhe brutal që lidhet me tenderin për mirëmbajtjen e urave në rrugët regjionale dhe rajonale të Kosovës.
“Kontrata është nënshkruar në mars të vitit 2018, në kohën e ministrit Pal Lekaj. Vlera e parashikuar e kësaj kontrate ka qenë 500 mijë euro, e cila ishte bërë publike në platformën elektronike. Në fund kjo kontratë kishte përfunduar në vlerën 5 milionë e 300 mijë euro”, pati thënë zëvendësministri Durmishi, pas dorëzimit të dosjes në Prokurori.
