Sulmet ajrore amerikane ndaj rebelëve Huthi në Jemen gjatë vitit të kaluar shkaktuan vdekjen e 153 civilëve dhe plagosjen e 243 të tjerëve, sipas një raporti të Pentagonit të publikuar të enjten.
Dokumenti, i cili iu dërgua Kongresit në kuadër të raportimit vjetor për viktimat civile, fokusohet në tri sulme ajrore të kryera në prill të vitit 2025, si përgjigje ndaj sulmeve të rebelëve pro-iranianë ndaj anijeve tregtare në Detin e Kuq.
Sulmet amerikane goditën objektiva të forcave Huthi në afërsi të kryeqytetit Sana dhe në portin Ras Isa, duke shkaktuar në total 153 viktima civile dhe 243 të plagosur. Sulmi më vdekjeprurës ishte ai ndaj portit Ras Isa, ku u vranë 80 persona dhe u plagosën më shumë se 170 të tjerë.
Në atë kohë, rebelët Huthi publikuan pamje grafike pas sulmit në kanalin e tyre satelitor Al Masirah, ku shfaqeshin viktimat. Komanda Qendrore e SHBA-së (CENTCOM), e cila mbikëqyr operacionet ushtarake amerikane në Lindjen e Mesme, deklaroi atëherë se sulmi nuk kishte për qëllim lëndimin e popullit të Jemenit.
“Forcat amerikane e ndërmorën aksionin me qëllim eliminimin e burimit të karburanteve për rebelët pro-iranianë dhe për t’u mohuar atyre të ardhurat e paligjshme që kanë financuar përpjekjet e huthëve për të terrorizuar të gjithë rajonin për një dekadë”, deklaroi CENTCOM.
Sipas raportit të Pentagonit, Komanda Qendrore arriti gjithashtu në përfundimin se sulmet me shumë gjasë kishin rezultuar në dëmtimin e civilëve. Raporti bazohet në burime të inteligjencës, pamje filmike dhe burime të tjera informative.
Ndërkohë, në mesin e ligjvënësve dhe organizatave për të drejtat e njeriut në Shtetet e Bashkuara është rritur shqetësimi për vdekjen e civilëve gjatë operacioneve ushtarake të administratës së presidentit Donald Trump. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
