Reagimi i kryeministrit Edi Rama ndaj deklaratës së Volodymyr Zelenskyt në Beograd është i panevojshëm, i keqkoordinuar dhe në dëm të interesave kombëtare. Në momentin kur Prishtina heq banderolën “Free Ukraine” si shenjë dinjiteti, Rama del publikisht për të mbrojtur Kievin dhe për të qortuar “nacionalistët folklorikë” në Tiranë e Prishtinë.
Ky komunikim nuk është guxim diplomatik, si deklarata e tij në Beograd kur i tha Vuçiçit se Serbia duhet ta njohë Kosovën. Është lëvizje që dobëson Prishtinën dhe i jep Beogradit dhuratë të papritur. Zelensky nuk foli për Shqipërinë, por ai ripohoi mosnjohjen e Kosovës dhe legjitimoi Serbinë. Reagimi legjitim erdhi nga Prishtina.
Heqja e banderolës ishte sinjal se respekti është reciprok, jo kundër Ukrainës. Kosova e ka mbështetur popullin ukrainas, ndërsa, Kurti ka qenë gjithmon koherent e kostant i qartë pro Kievit, dhe i ashpër ndaj Moskës. Rama, në vend që ta mbështeste këtë qëndrim, kthen vëmendjen te “kalkulatori gjeopolitik” i kritikëve dhe deklaron se liria nuk është shkëmbim.
Kthen vemendjen e tij te mbështetja e pakushtëzuar ndaj një vendi që mohon vazhdimisht pavarësinë e Kosovës nuk është parim, por dobësi. Çdo minimizim i pozicionit të Kievit forcon Beogradin.
Duke e quajtur Zelenskyn “mik të dashur” dhe duke pranuar se Ukraina mund të jetë gabim për Kosovën, por e drejta e saj për liri mbetet e padiskutueshme, Rama i jep argument se edhe Tirana e sheh çështjen e Kosovës si të pamjaftueshme për të kushtëzuar aleancat. A e bën për t’i shërbyer Brukselit? a dikujt tjetër….! Po.
Në kohën kur Shqipëria kërkon hapje kapitujsh dhe imazh partneri sa më të besueshëm, me Brukselin, Rama shfaqet si zë i arsyes pro-ukrainase, edhe kur kjo relativizon interesin jetik të Kosovës. Kjo është politikë e llogaritur për të kënaqur vendimmarrjen në BE, duke lënë mënjanë faktin se Kosova, mbetet e panjohur nga një pjesë e rëndësishme e aleatëve.
Shqipëria, duhet të mbështesë Ukrainën kundër agresionit rus, por jo në mënyrë të verbër. Kur kryeministri i Shqipërisë flet si zëdhënës i Kievit, ndërsa Prishtina reagon, ai dobëson unitetin shqiptar dhe u jep armiqve argument të ri. Respekti fitohet me qëndrim të qartë, jo me sloganë që tingëllojnë mirë vetëm në Bruksel e Beograd.
Model i përsëritur i ndërhyrjes: Ky nuk është rast i izoluar. Rama ka folur shpesh indirekt në emër të Kosovës dhe Kurtit, duke i hapur hapësirë Vuçiçit dhe duke u shërbyer presioneve të Brukselit. Në korrik 2015 zhvilloi takime urgjente në Prishtinë me udhëheqësit kosovarë, duke ndihmuar në bindjen e faktorëve politikë për votimin e 3 gushtit që themeloi Gjykatën Speciale.
Në qershor 2023 deklaroi se ishte “100 % kundër” vendimeve të Kurtit në veri, anuloi mbledhjen e dy qeverive dhe u rreshtua me aleatët që kritikonin Prishtinën. Promovoi “Ballkanin e Hapur”, ku Vuçiçi preferonte mungesën e Kosovës. Propozoi draftin e tij për Asociacionin e komunave serbe, i cili në Prishtinë u cilësua si ndërhyrje që legitimonte kërkesat e Beogradit.
Në intervista të përsëritura kërkoi që Kosova të përmbushë unilateralisht detyrimet e dialogut dhe “t’ia lërë topin në derë Serbisë”, gjithmon sipas Edi Ramës. Edhe kur e quan Kosovën “makthin e Vuçiçit”, vazhdon të theksojë se me të mund të flitet dhe të ndërtohet.
Kritikë e hapur ndaj Kurtit, angazhim i ngushtë me Beogradin dhe përputhje me axhendën e Brukselit për “normalizim” , ky model e lë Kosovën të pambrojtur në momentet më kritike. Deklarata dhe “korrigjimet” më pas të Edi Ramës Stili i tij shfaqet qartë te “toka e askujt”.
Në intervistën e tetorit 2023 për Financial Times e cilësoi veriun e Kosovës si zonë ku krimi lulëzon dhe kontrolli mungon, duke e krahasuar me Lazaratin. Pas reagimeve e quajti “lapsus” dhe i akuzoi kritikët si “sazexhinj dogmatikë”. E njëjta logjikë shfaqet te letrat e përbashkëta me Vuçiçin. Në 2021, së bashku me Zaevin, publikuan letër për “Ballkanin e Hapur”.
Në shkurt 2026 firmosën editorial në Frankfurter Allgemeine Zeitung duke kërkuar anëtarësim të fazuar pa të drejtë vetoje lëvizje e kritikuar si servilizëm ndaj Brukselit.
Në të gjitha rastet Rama fillon me gjuhë të fortë ose bashkëpunuese me Beogradin, pastaj “korrigjon” me retorikë mbrojtëse për shqiptarët, ashtu si tani duke u “çirrur” në Bruksel e Washington për Gjykatën Speciale, duke e quajtur “turpin e drejtësisë ndërkombëtare”.
Deklaratat “Kosova është shtet” dhe “nëse preket Kosova, preket Shqipëria” ngjajnë me ato të Enver Hoxhës, kur Kosova ishte nën Jugosllavi. Por ishte Kosova ajo që e pësoi keq e më keq. Ky cikël deklaratë e ashpër, reagim, pastaj zbutje i jep Vuçiçt hapësirë dhe e lë Kosovën të ekspozuar.
Më shumë se sa i ndihmon Tiranën me Brukselin, forcon Beogradin dhe nuk i shërben aspak çështjes shqiptare në Ballkan.
