Një gazetare ka ngritur pikëpyetje mbi gjendjen shëndetësore të Nenad Rashkoviqit, për të cilin Lista Serbe pretendoi se është rrahur nga Policia e Kosovës, e i cili u dërgua për trajtim në Beograd. Ajo e ka vënë në vështirësi kryetarin e Listës Serbe Zlatan Elek duke ngritur pikëpyetje mbi gjendjen shëndetësore të Rashkoviqit dhe arsyen e transferimit të tij për trajtim në Beograd.
Ajo e pyeti Elekun nëse ishte marrë dokumentacioni mjekësor dhe nëse, nga pikëpamja mjekësore, ishte e nevojshme që pacienti të transportohej në Beograd, duke pasur parasysh se më herët ishte thënë se gjendja e tij ishte stabile. “Unë nuk e di kush ka deklaruar këtë mëngjes se gjendja ishte stabile. Unë kam dhënë deklaratë mbrëmë dhe kam thënë se gjendja ishte jostabile.
Këtë mund ta verifikoni shumë lehtë”, u përgjigj Elek, transmeton KosovaPress. Gazetarja iu referua edhe deklaratës së mjekut kujdestar, ndërsa Elek sqaroi se bëhej fjalë për vlerësime fillestare gjatë fazës së diagnostikimit. “Kur bëhet fjalë për pacientët më të rrezikuar në njësinë e kujdesit intensiv, kurrë nuk vendos vetëm një mjek, por vendos kolektivi i mjekëve”, tha Elek.
Sipas tij, ekipi mjekësor ka vlerësuar se, për shkak të gjendjes së paqëndrueshme shëndetësore, pacienti duhej të transferohej në Qendrën Klinike Universitare të Serbisë në Beograd. Gazetarja ngriti edhe çështjen e dokumentacionit mjekësor dhe pyeti nëse inspektorët e policisë kishin ardhur në spital dhe nëse kishin marrë dokumentacionin.
Elek tha se personalisht nuk kishte pasur kontakt me policinë. “Tek unë nuk ka ardhur askush dhe nuk kam pasur asnjë kontakt me ta. Ata kanë qenë për të marrë deklaratë nga pacienti”, deklaroi ai. Ai shtoi se dokumentacioni mjekësor nuk mund të largohet nga spitali dhe as t’i dorëzohet dikujt pa urdhër të gjykatës.
Ndërkohë, sa i përket rëndësisë së lëndimeve dhe shkallës së dëmtimeve, Elek tha se për këtë mund të flitet vetëm pas përfundimit të trajtimit, nëse një vlerësim i tillë do të jetë i nevojshëm. Kujtojmë se të martën, Nenad Rashkoviq ka pretenduar se është rrahur nga Policia e Kosovës.
Njëjtë veproi edhe Lista Serbe, ndërsa pas dërgimit të tij në spital në Beograd, atë e vizitoi edhe presidenti serb Aleksandër Vuçiq. Ndërkaq, dje Policia e Kosovës gjetur armatim në Dren të Zubin Potokut në afërsi të pronave të Rashkoviqit. Deri më tani nga Policia e Kosovës kanë deklaruar se s’kanë informacion se i njëjti është rrahur, ndërsa Inspektorati Policor po e heton rastin.
