Dhe Xavi Hernandez është aty. Pas eliminimit në 1/16 e finales së Botërorit kundër Marokut, Holanda ka vendosur të ndryshojë drejtim dhe ka vendosur gjithçka te ish-mesfushori dhe trajneri i Barcelonës, i cili po e priste vetëm një sfidë të re dhe emocionuese për t’u rikthyer në punë, pas dy vitesh qëndrimi jashtë futbollit.
Spanjolli 46-vjeçar e ka nënshkruar një kontratë deri në Botërorin e ardhshëm, i cili do të zhvillohet në verën e vitit 2030 në Spanjë, Portugali dhe Marok. Debutimi i trajnerit të ri të “Oranje” do të jetë të enjten, më 24 shtator, kur do të përballet me Gjermaninë në “Johan Cruijff Arena” në Nations League. Më pas, gjatë rrugëtimit, do të përballet me Serbinë dhe Greqinë.
“Për mua është një nder i jashtëzakonshëm të bëhem trajner i kombëtares holandeze. Duke qenë se jam rritur në akademinë e Barcelonës, me ndikimin e fortë të figurave si Johan Cruijff dhe Rinus Michels, ndiej një lidhje të veçantë me futbollin holandez. Mund të thuhet se jam disi bir i futbollit holandez”, d eklaroi ai në momentin e prezantimit si trajneri i ri.
Xavi është trajneri i parë i huaj i kombëtares holandeze që nga koha e Ernst Happel, austriaku që e drejtoi kombëtaren holandeze nga viti 1977 deri në vitin 1978. Në të vërtetë, për përfaqësuesen “Oranje”, ta ketë një trajner të huaj nuk është aspak një gjë e rrallë: Xavi është trajneri i 21-të i huaj në historinë e Holandës.
Në fillim të shekullit të kaluar, Federata pati shumë trajnerë të ardhur nga Anglia dhe më pas edhe nga Austria.
