Kryeshefi Ekzekutiv i KRU “Prishtina”, Arsim Fetahu, së bashku me stafin e kompanisë, ka vizituar Njësinë Operative në Shtime, ku është informuar nga afër për ecurinë e dy projekteve të rëndësishme për përmirësimin e furnizimit me ujë në këtë zonë.
Gjatë vizitës janë inspektuar punimet në projektin “Hapja e puseve dhe ndërtimi i pompimit, rrjetit dhe sistemit të shpërndarjes në Rashincë”, me vlerë prej 272,463.53 euro, si dhe projekti për rehabilitimin e rrjetit të ujësjellësit në Pjetershtic, në vlerë prej 397,979 euro. Në total, vlera e këtyre dy investimeve arrin në rreth 670 mijë euro.
Sipas KRU “Prishtina”, projektet synojnë rritjen e kapaciteteve dhe përmirësimin e infrastrukturës së ujësjellësit, me qëllim të sigurimit të një furnizimi më të qëndrueshëm, cilësor dhe të sigurt me ujë për banorët e Rashincës, Pjetershticës dhe zonave përreth.
Kompania ka bërë të ditur se do të vazhdojë investimet në infrastrukturë dhe realizimin e projekteve të reja për përmirësimin e shërbimeve dhe kushteve të furnizimit me ujë për konsumatorët. / Telegrafi
