Deputeti i zgjedhur i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka reaguar pas pretendimeve për lidhje familjare me personin e arrestuar për kërcënimin ndaj kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj. Përmes një reagimi publik, Rrustemi e ka dënuar gjuhën e përdorur ndaj Haradinajt, duke e cilësuar atë si të papranueshme dhe të dënueshme.
“Sfera publike ka nevojë më shumë se kurrë për racionalitet. Dallimet në bindje politike nuk mund të rrëshqasin në gjuhë kërcënuese e fyese si kjo ndaj Ramush Haradinajt e ndaj askujt tjetër”, ka deklaruar ai. Rrustemi ka mohuar kategorikisht pretendimet për lidhje familjare me personin e arrestuar, duke i cilësuar ato si tërësisht të pabazuara.
Sipas tij, personin në fjalë nuk e njeh personalisht dhe nuk ka pasur kontakte me të, ndërsa ka thënë se për emrin e tij kishte dëgjuar gjatë viteve të fundit dhe gjatë fushatave zgjedhore. “Kam dëgjuar vitet e fundit e gjatë fushatave, si ish-ushtar i UÇK-së që jeton mbi 25 vite në Obiliq.
As nuk e kam parë e as nuk e kam ditur që ndodhet në Kuvend dhe në cilën kohë sa isha unë aty”, ka thënë Rrustemi. Ai ka sqaruar se familja e nënës së tij është nga Dobraja e Madhe, ku, sipas tij, familja Llugiqi numëron mbi 300 shtëpi. “Si kudo, edhe aty ka lloj-lloj personash.
Nga persona që nuk kanë mbajtur qëndrimin e drejtë për kombin e vendin, deri te ushtarë të shumtë të UÇK-së dhe heronj që vijnë nga kjo familje dhe nga ky fshat”, ka shtuar ai. Rrustemi ka theksuar se nëna e tij ka vetëm dy vëllezër, ndërsa gjyshi nga ana e nënës ka qenë djalë i vetëm, duke theksuar se asnjëri nga personat e përmendur nuk ka lidhje me familjen e tij.
Ai i ka cilësuar pretendimet si një përpjekje për ta goditur politikisht dhe ka paralajmëruar veprime ligjore. “Pres që deputeti Burim Ramadani dhe mediat e caktuara ta tërheqin menjëherë shpifjen. Përndryshe, për këtë rast do të ushtroj menjëherë padi”, ka deklaruar Rrustemi./Telegrafi.
