Një rast me të shtëna ka aktivizuar Policinë e Kosovës të mërkurën në Zonën Industriale në Prishtinë, ku pas një informacioni për një person që dyshohej se kishte shtënë nga një veturë Porsche, automjeti është lokalizuar dhe ndaluar në dalje të qendrës tregtare ETC, mëson Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se personi i dyshuar në këtë rast është Fahri Ajeti , i cili pas veprimeve policore është dërguar në ndalim për 48 orë. Sipas informacioneve të rastit, Policia kishte pranuar një njoftim se në rrugën që lidh zonën e diskotekës GATE me qendrën tregtare ETC, një person brenda një Porsche dyshohej se kishte shtënë një herë me a*më.
Njësitë policore janë vënë në lëvizje dhe kanë arritur ta ndalojnë veturën në dalje të ETC-së. Gjatë kontrollit fillestar, drejtuesi i Porsche-s u ka deklaruar policëve se në ulësen e automjetit ndodhej një a*më. Pas sigurimit të të dyshuarit, Policia ka kontrolluar veturën dhe ka gjetur një M57 me shtatë fishekë – njëri prej tyre në fole të tytës.
Njësitë policore kanë kërkuar edhe lokacionin ku dyshohet se ishte shtënë, por deri në atë fazë nuk kishin arritur ta përcaktonin vendin e saktë. Informacioni fillestar ishte dhënë nga një raportues anonim. Në rast janë angazhuar edhe Hetimet dhe Forenzika, ndërsa pritet të kontrollohen edhe kamerat e sigurisë në zonë për të sqaruar rrethanat e plota.
Pas konsultimit me Prokurorin kujdestar, rasti është iniciuar për “Përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”. Ajeti është dërguar në Qendrën e Mbajtjes për 48 orë. Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
