Pas një dite të tensionuar në Kuvendin e Kosovës, të shoqëruar me përplasje të shumta mes pozitës dhe opozitës, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, ka reaguar përmes një postimi në Facebook.
Gërvalla ka dhënë një mesazh të shkurtër, por të prerë, duke theksuar se nuk do të ketë tërheqje apo kompromis, siç është shprehur ajo, me vullnetin e qytetarëve dhe interesin e Republikës. “Nuk zmbrapsemi. Nuk dorëzohemi. Nuk ndalemi. Nuk bëjmë kompromis me vullnetin e qytetarëve dhe me interesin e Republikës”, ka shkruar Gërvalla.
Ajo ka shtuar se përgjegjësia ndaj qytetarëve nuk mund të jetë çështje negocimi. “Përgjegjësia ndaj qytetarit nuk negociohet”, ka deklaruar Gërvalla. Postimin ajo e ka shoqëruar me disa fotografi nga ambientet e Kuvendit, ku shihet e rrethuar nga gazetarë, kameramanë dhe pjesëtarë të mediave.
Reagimi i Gërvallës vjen pas zhvillimeve të tensionuara të së mërkurës në Kuvend, ku pati përplasje të ashpra politike dhe incidente mes përfaqësuesve të pozitës dhe opozitës. Deklarata e saj mund të shihet edhe si një përgjigje politike ndaj presionit dhe kritikave të opozitës, duke sinjalizuar se pushteti nuk synon të ndryshojë kursin pas zhvillimeve të sotme në Kuvend.
