Trajneri i Dinamos, Ilir Daja, është optimist se skuadra e tij mund të kalojë turin përballë Auda në Ligën e Konferencës. Tekniku e ka theksuar bindjen e tij në konferencën e zakonshme për media një ditë para ndeshjes. “Duhet patjetër që të jemi në ekuilibër gjatë gjithë kohës që të mos i lëmë kundërshtarit hapësirë, pasi ka lojtarë që individualisht mund të na dëmtojnë.
Nuk duhet ta kemi mendjen te rezultati por te ajo që i themi ne manovër dhe ekuilibër. Arsyeja, pavarësisht se në ndeshjen e parë Auda ka bërë një hap të vogël përpara, është që edhe ne kemi pasur shanset tona atje e që mund të mbaronte me rezultat tjetër. Ndaj mendojmë që në fushën tonë jemi më të përshtatur se kundërshtari.
Ta shfrytëzojmë këtë element gjatë 90 minutave dhe pse jo, të vazhdojmë të pretendojmë për më tej, edhe pse përballë kemi një kundërshtar të fortë. Duhet të jemi agresivë, po aq shumë sa të kemi një shkallëzim shumë të mirë që të mos i lëmë hapësirë kundërshtarit, për të mos realizuar kundërsulme, sepse e kanë një pikë relativisht të mirë.
Po të nisemi nga rezultati, kur thuhet nuk funksionoi do të thotë rezultati, por skuadra bëri lojën e vet. Ishte në fushë gjatë të gjithë 90 minutave. Prandaj citova që ne pak a shumë duhet të bëjmë të njëjtën lojë, por të jemi më efikas para portës. Rastet që na u krijuan duhet t’i shfrytëzojmë me më shumë efikasitet. Eksperienca është goxha e madhe, të them të drejtën.
Nesër është ndeshja e 66-të e imja në kompeticionet europiane, me 16 kualifikime. Por besoj që eksperienca vjen në plan të dytë, sepse nesër primarë janë gjithmonë lojtarët, çfarë do të bëjnë ata në fushën e lojës. Ne, si herët e tjera, duke parë që çdo lojtar ka dhënë maksimumin dhe grupi ka qenë në të dyja fazat e lojës bashkë, besojmë që kjo mund të na çojë drejt një rezultati pozitiv.
Ndërsa eksperienca do të na ndihmojë që në situatat e lojës, të bëjmë zgjedhjet e duhura edhe në bazë të manovrës që do të ketë kundërshtari. Të them të drejtën, në të gjithë karrierën, ku kemi pasur disa raste ku jemi kualifikuar edhe me penallti, nuk i kam punuar penalltitë përpara, sepse e di që është tjetër gjë t’i gjuash në stërvitje dhe tjetër në ndeshje.
Ka doza emocionale të ndryshme. Por u kam dhënë prioritet gjithmonë lojtarëve që marrin kurajën për të goditur, sepse ai që merr kurajën për të goditur, mendoj se është më i përgatitur psikologjikisht sesa ndonjë tjetër që është me dy mendje. Plani?
Do të bëjmë atë që kemi punuar gjatë gjithë kësaj periudhe pas ndeshjes së kthimit nga Letonia, duke u nisur nga fakti që kemi parë kundërshtarin dhe do të shfrytëzojmë mundësitë që kundërshtari nuk i ka si pika të forta”, tha ndër të tjera Daja para gazetarëve.
