Banorët e fshatit Gjormë në Kurbin kanë dalë në protestë, duke kërkuar ndërhyrje urgjente për rikonstruksionin e rrugës që lidh fshatin me aksin kryesor. Sipas banorëve, segmenti rrugor është prej vitesh në gjendje të amortizuar dhe vështirësisht i kalueshëm. Ata thonë se në zonë nuk është kryer asnjë investim në infrastrukturën rrugore prej më shumë se 35 vitesh.
Gjendja e rrugës ka vështirësuar lëvizjen e përditshme të banorëve, ndërsa një problem i veçantë mbetet transporti i fëmijëve drejt shkollës. Banorët kërkojnë gjithashtu pastrimin e kanaleve kulluese, pasi gjatë reshjeve të dendura zona përballet me përmbytje. Një tjetër shqetësim lidhet me urën në këtë segment.
Sipas banorëve, mungesa e barrierave mbrojtëse përbën rrezik për jetën, veçanërisht për fëmijët që e përdorin këtë rrugë çdo ditë për të shkuar në shkollë. Në mbështetje të protestës ishin edhe deputeti i Partisë Demokratike, Kastriot Piroli, si dhe anëtarët e Këshillit Bashkiak të Kurbinit nga opozita, Albert Ndoci dhe Sefedin Lika.
Ata akuzuan Bashkinë Kurbin për investime selektive dhe për lënien pas dore të fshatrave që prej vitesh përballen me mungesën e infrastrukturës bazë. Në fshatin Gjormë banojnë rreth 200 familje, të cilat përballen çdo ditë me vështirësitë e shkaktuara nga gjendja e rrugës.
Banorët kërkojnë rikonstruksionin e segmentit rrugor, pastrimin e kanaleve kulluese dhe vendosjen e barrierave mbrojtëse në urë, duke kërkuar që problematikat e tyre të marrin zgjidhje pas dekadash pa investime.
