Një ngjarje e jashtëzakonshme ka tronditur futbollin nigerian. Mbrojtësi Chinedu Ozor u shpall i vdekur pasi u rrëzua gjatë një ndeshjeje miqësore parasezonale, por disa orë më vonë u zbulua se kishte ende shenja jete në morg.
Ozor, i njohur gjithashtu si Ozoh Chinedu dhe pjesë e skuadrës së Katsina United në elitën e futbollit nigerian, u rrëzua në fillim të miqësores ndaj Niger Tornadoes, në stadiumin “Muhammadu Dikko” të Katsinës. Stafi mjekësor ndërhyri menjëherë në fushë dhe lojtari u transportua me urgjencë në spitalin e specializuar K-Dara.
Pavarësisht përpjekjeve për ta reanimuar, klubi njoftoi më pas zyrtarisht se futbollisti kishte ndërruar jetë. Lajmi shkaktoi tronditje të madhe te klubi, bashkëlojtarët, drejtuesit dhe gjithë komuniteti i futbollit në Nigeri. Por disa orë më vonë ndodhi kthesa e pabesueshme. Sipas raportimeve, personeli i morgut vuri re se duart e Ozorit po lëviznin.
Menjëherë ai u nxor nga morgu dhe u dërgua sërish në spital, ku u vendos nën oksigjen dhe mjekët nisën punën për stabilizimin e gjendjes së tij. Heartland FC, një nga ish-klubet e mbrojtësit, konfirmoi përmes burimeve të veta se Ozor ishte nxjerrë nga morgu dhe ndodhej tashmë në një shtrat spitalor, ku po merrte trajtim mjekësor.
