Tejkalimi i afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit e ka futur procesin e formimit të institucioneve të reja në një fazë të re pasigurie juridike dhe politike.
Deputetët e legjislaturës së re, të zgjedhur në zgjedhjet e 7 qershorit, nuk kanë arritur ta përfundojnë konstituimin e Kuvendit brenda afatit të përcaktuar, ndërsa përplasjet mes partive politike vazhdojnë të pengojnë arritjen e një zgjidhjeje.
Në qendër të bllokadës është mosarritja e një marrëveshjeje politike për mënyrën e vazhdimit të procesit dhe për formimin e institucioneve, derisa seanca konstituive po tentohet të vazhdohet edhe pse është tejkaluar afati.
Ndërkohë, tejkalimi i afatit ka hapur debat edhe për pasojat juridike që sjell moskonstituimi i Kuvendit dhe nëse një krizë politike mund të justifikojë zgjatjen e një procesi për të cilin Gjykata Kushtetuese veçse kishte dhënë një interpretim.
Në aktgjykimin e 26 qershorit 2025 , Gjykata Kushtetuese kishte përcaktuar se procedura e konstituimit të Kuvendit duhet të përfundojë brenda 30 ditësh nga certifikimi i rezultateve zgjedhore dhe se Kuvendi nuk konsiderohet i konstituuar nëse nuk zgjedhen organet e tij drejtuese.
Ky interpretim është bërë pikë referimi në debatin aktual, ndërsa partitë vazhdojnë të kenë qëndrime të ndryshme për mënyrën se si duhet të tejkalohet ngërçi.
Kritikat për shkeljen e afateve dhe aktgjykimit të Kushtetueses Analisti politik dhe sociologu Artan Muhaxhiri e cilëson bllokadën si më seriozen e deritashme dhe e kritikon qasjen e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ndaj afateve kushtetuese. “Bllokada aktuale është më absurdja, më e rrezikshmja dhe më e dëmshmja deri tash.
Ndonëse gjithçka ishte kristal e qartë për shkakun e zgjedhjeve të 7 qershorit dhe të kritereve kohore kushtetuese për krijimin e institucioneve të reja, Albin Kurti me vullnet të plotë dhe brutalisht bëri shkelje arbitrare të tyre, me arsyetimin e pakufizuar subjektiv për ‘më shumë kohë’.
Kësisoj, ai e mbivendosi veten ndaj Gjykatës Kushtetuese, duke e cenuar fundamentalisht idenë Monteskjane të ndarjes së pushteteve”- ka thënë Muhaxhiri për Kallxo.com. Sipas tij, situata paraqet cenim të ndarjes së pushteteve dhe të rolit të Gjykatës Kushtetuese.
“Shpërfillja abuzive e Albin Kurtit ndaj respektimit të kushtetutshmërisë, normalitetit bashkëveprues dhe realizmit politik, është kidnapim i jetës institucionale.
Paraqet rrëmbim antiligjor të procesit dhe diktat të mbajtjes pezull me qëllim të imponimit të planit të tij të dëshiruar, në kundërshti edhe me rendin e rregulloret, edhe me qëndrimet e gjysmës tjetër të përfaqësuesve të popullit në Kuvend”- ka deklaruar ai.
Muhaxhiri thotë se mosrespektimi i aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2025 përbën një precedent serioz për funksionimin institucional.
Duke e quajtur “eklipsim mbisundues” moszbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të 26 qershorit 2025 për afatin 30-ditor të konstituimit të Kuvendit pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, Muhaxhiri vlerëson se një gjë e tillë shënon precedentin “më ogurzi të gërryerjes së substancës shtetërore”.
Sipas tij, dallimi me herat tjera është se kësaj radhe nuk ekziston asnjë paqartësi për ndonjë mundësi tjetër eventuale, prandaj suspendimi politik i aktgjykimit KO124/25, sipas tij, e tregon më së miri perspektivën e deformuar të Albin Kurtit mbi mënyrën e funksionimit institucional të sistemit shtetëror.
Afatet kushtetuese dhe përgjegjësia e deputetëve Ndërkaq, hulumtuesi i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), Vullnet Bugaqku, thotë se situata nuk mund të trajtohet vetëm si mosmarrëveshje politike, pasi pasojat e saj tashmë prekin funksionimin e rendit kushtetues. “Kjo situatë nuk mund të trajtohet më thjesht si një mosmarrëveshje politike mes partive.
Problemi është se një mosmarrëveshje politike po prodhon pasoja të drejtpërdrejta mbi funksionimin e rendit kushtetues”- ka thënë Bugaqku për Kallxo.com. Ai thekson se Kushtetuta nuk e lidh konstituimin e Kuvendit me arritjen e një marrëveshjeje paraprake politike.
Bugaqku interpreton se Kushtetuta nuk e kushtëzon konstituimin e Kuvendit me arritjen paraprake të një marrëveshjeje politike ndërmjet subjekteve. Përkundrazi, sipas tij, konstituimi i Kuvendit është një detyrim kushtetues që duhet të përmbushet brenda afatit të përcaktuar nga Kushtetuta.
Madje, Gjykata Kushtetuese, në rastin e vitit 2025, ishte shumë e qartë se seanca konstituive duhet të përfundojë brenda afatit 30-ditor dhe se moszgjedhja e organeve drejtuese nënkupton se Kuvendi nuk është konstituuar. Sipas Bugaqkut, marrëveshja politike mund të jetë e dobishme për zgjidhjen e krizës, por nuk mund të kthehet në kusht juridik.
“Prandaj, marrëveshja politike mund të jetë e dëshirueshme, por nuk mund të shndërrohet në kusht juridik për ushtrimin e një kompetence kushtetuese. Nëse logjika bëhet se seanca nuk mund të vazhdojë pa marrëveshje politike, atëherë në mënyrë indirekte po i jepet vullnetit të partive një fuqi që Kushtetuta nuk ua ka dhënë”- ka thënë Bugaqku.
Ai paralajmëron se afatet kushtetuese nuk mund të trajtohen si afate politike që shtyhen deri në arritjen e kompromisit. “Kjo situatë nuk mund të vazhdojë pafundësisht në formën ‘tërhiq-e-mos-e-këput’. Afatet kushtetuese nuk janë afate politike, të cilat mund të shtyhen derisa palët të arrijnë një kompromis. Ato janë kufizime juridike mbi ushtrimin e pushtetit”- ka deklaruar ai.
Për mundësinë që Gjykata Kushtetuese të përfshihet sërish në interpretimin e situatës, Bugaqku thotë se kjo mund të ndodhë vetëm në rast të një paqartësie reale kushtetuese, duke theksuar se përgjegjësia për zgjidhjen e krizës mbetet te deputetët.
“Sa i përket Gjykatës Kushtetuese, po, ajo mund të jetë përsëri institucion që kërkohet të sqarojë pasojat juridike të kësaj situate, veçanërisht nëse krijohet një paqartësi reale kushtetuese. Por nuk duhet krijuar përshtypja se çdo krizë politike duhet t’i delegohet Gjykatës për zgjidhje”- ka thënë ai.
Sipas tij, Gjykata mund të interpretojë dhe të garantojë Kushtetutën; ajo nuk mund ta zëvendësojë vullnetin politik të deputetëve. “Në thelb, ajo që duhet të jetë e qartë është kjo: Kushtetuta nuk pezullon funksionimin e saj derisa partitë të arrijnë marrëveshje. Përkundrazi, pikërisht në momente të tilla duhet të funksionojë si kufizim ndaj kalkulimeve politike”- ka deklaruar Bugaqku.
Edhe afati 48-orësh i Rregullores është tejkaluar Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka vazhduar edhe pasi që ka kaluar afati 30-ditor i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese. Ndërkohë, është tejkaluar edhe afati 48-orësh i përcaktuar me Rregullore të Kuvendit si maksimumi i lejuar i ndërprerjes së saj. Megjithatë, seanca konstituive akoma nuk ka përfunduar.
Një vazhdim i saj është mbajtur më , ndërsa më pas nuk është thirrur vazhdim tjetër. Avni Dehari nga LVV, i cili udhëheq seancën konstituive, tha se seancat nuk kanë kuptim të mbahen përderisa nuk japin rezultate. “Ne e dimë që me 28 dhjetor u mbajtën 57 seanca edhe nuk sollën kurrgjë të re. Çfarë kuptimi do kishte të mbahen seanca edhe vazhdimisht të mos kemi rezultate.
Nuk është puna që nuk respektohen [afatet], por dëmi kështu është më i madh. Vetëm për formalitet nëse mbahen seancat njëra pas tjetrës ku është rezultati? Kush është i interesuar që nëse s’ka rezultate të mbahen seanca vetëm për kot?”- u shpreh Dehari më . Mërgim Lushtaku, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, në anën tjetër, ka thënë se si parti kundërshtojnë tejkalimin e afateve.
Ai deklaroi se mbështet ndonjë protestë apo demonstratë që e kundërshton veprimet e tilla, ndërsa mundësinë që PDK-ja të organizojë protestë e la të hapur. “Çdo protestë e mbështesim, sepse me të vërtetë çka u bë, boll u bë më. Dhe besoj që nuk duhet të të teprohet më, sepse qytetarët mbi të gjitha presin adresë që merret me kërkesat e tyre që t’i zgjidhin problemet e përditshme”- tha ai.
Albana Bytyqi e Aleancës konsideron se Albin Kurti dhe LVV po tentojnë të blejnë kohë në mënyrë që të shkohet në zgjedhje gjatë muajit dhjetor 2026. Si rrugë të vetme të mbetur, ajo konsideron se është “dalja në rrugë”. “Jemi duke diskutuar si parti, por edhe parti të tjera, kështu që po e shohim tash e tutje se si do të veprojmë”- tha ajo.
Për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese, Bytyqi tha se në bashkëpunim me partitë e tjera mund t’i drejtohen edhe asaj. “Po kërkojnë vetëm afat kohor me ble për me mujtë me çu vendin në zgjedhje në dhjetor. Kjo është arsyeja kryesore pse po kërkon Kurti me çu në Gjykates Kushtetuese partitë opozitare këtë pjesë”- deklaroi Bytyqi.
Ndërkohë, Ilir Kërqeli i LVV-së, i cili ishte pjesë e kabinetit të kryetarit të Kuvendit kur në vitin 2022 u miratua Rregullorja e punës së Kuvendit që e cakton afatin 48-orësh për ndërprerjen maksimale të seancës konstituive, ka thënë se, sipas tij, nuk mund të thirret një seancë pa u dakorduar për një marrëveshje për të tri pozitat kryesore të shtetit: presidentin, kryekuvendarin dhe kryeministrin.
“Kur është miratuar Rregullorja e re natyrisht se nuk janë paraparë sfidat e tilla institucionale të cilat po ndodhin edhe sot, po edhe gjatë vitit 2025”- tha ai. Ai konsideron se do të ishte mirë që të kishte një interpretim nga Gjykata Kushtetuese sa i përket afatit 48-orësh të ndërprerjes së seancës konstituive. Madje, ai u shpreh i hapur që edhe vetë t’i drejtohet Kushtetueses.
“Nuk e kemi diskutuar deri tani. Unë mendoj se nëse ka një iniciativë të tillë, pse jo”- tha ai. Ndërkaq, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje politike do të vazhdojnë, me qëllim shmangien e zgjedhjeve të reja. Kurti më deklaroi se është në komunikim me kryetarët e partive dhe se synimi është arritja e një marrëveshjeje.
“Jemi në komunikim edhe do të përpiqemi për çdo ditë që ta arrijmë marrëveshjen politike në mënyrë që t’i shmangim zgjedhjet e panevojshme, të paarsyeshme, sepse ato vetëm sa do të përsëriten. Pra u bëj thirrje edhe një herë liderëve të partive të tjera që të diskutojmë e të merremi vesh, sepse qytetarët e Republikës së Kosovës nuk duan zgjedhje, duan zgjidhje.
E zgjidhja është marrëveshja politike”- tha ai më . Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka filluar më .
