“E kapa unë atë para se ai të më kapte mua. Ata u përpoqën dy herë. Epo, e kapa unë i pari”. Ky ishte deklarimi i presidentit amerikan, Donald Trump, dhënë korrespondentit të ABC, Jonathan Karl, në një bisedë telefonike një ditë pasi nisi fushatën ushtarake amerikane kundër Iranit në shkurt, kujton BBC.
Sulmi ajror izraelit, i kryer me miratimin dhe koordinimin e SHBA-së, sapo kishte vrarë Ajatollah Ali Khamenein dhe udhëheqës të tjerë të lartë iranianë – dhe Trump e paralelizoi me kërcënimet dhe komplotet e dyshuara që gjatë viteve të mëparshme iranianët kishin bërë ndaj tij.
Trump është përmbajtur nga vërejtje të ngjashme në gjashtë muajt pasues të luftës, por sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, e ka mbështetur këtë pikëpamje.
“Irani u përpoq të vriste presidentin Trump, dhe presidenti Trump qeshi i fundit”, do të deklaronte ai në mars, duke vënë në dukje se një iranian i paidentifikuar, i cili tha se drejtonte një njësi vrasjesh, ishte vrarë në sulmet amerikane.
Këto komente lënë të kuptohet për natyrën personale të kësaj lufte – dhe shqetësimet e presidentit dhe ekipit të tij të sigurisë për kërcënimin që Irani ende paraqet për sigurinë e tij. Këto shqetësime u ilustruan dramatikisht nga zbulimi i kësaj jave se Trump muajin e kaluar kaloi fshehurazi në një avion alternativ gjatë fluturimit të kthimit nga samiti i NATO-s në Turqi.
Ai la median dhe pjesën më të madhe të stafit të Shtëpisë së Bardhë për t’u larguar me avionin presidencial “Air Force One 747”, i cili u kthye në thelb në karrem.
Ishte një dredhi e përpunuar, e cila përfshinte transportimin e presidentit drejt dhe nga avioni brenda një kamioni ushqimi, në përgjigje të asaj që zyrtarët amerikanë thuhet se e konsideronin të ishte inteligjencë e besueshme për kërcënim raketor iranian ndaj “Air Force One”.
Shtëpia e Bardhë ka dhënë pak detaje rreth këtij kërcënimi – por megjithatë ai shënon një tjetër episod të habitshëm në historinë e trazuar të marrëdhënieve të Trumpit me Iranin. Ekspertët e sigurisë qeveritare kanë thënë se masa të tilla nuk janë të pazakonta kur një president udhëton në ose afër një zone lufte. Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com
