Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka kritikuar marrëdhëniet aktuale mes Beogradit dhe Podgoricës, duke deklaruar se Mali i Zi dëshiron t’i “riedukojë” serbët dhe se synon të ketë marrëdhënie sa më të këqija me Serbinë.
Duke komentuar raportet mes dy vendeve, Vuçiq ka kritikuar edhe politikën e jashtme të Podgoricës, veçanërisht mbështetjen e Malit të Zi ndaj sanksioneve evropiane kundër Rusisë.
Deklaratat e presidentit serb kanë nxitur reagimin e kryeministrit të Malit të Zi, Milojko Spajiq, i cili ka theksuar se Podgorica nuk dëshiron konflikt me Beogradin, por marrëdhënie të mira fqinjësore dhe një orientim të qartë evropian. “Mali i Zi nuk dëshiron konflikt me Serbinë.
Duam marrëdhënie të mira fqinjësore, por edhe një politikë të qartë evropiane, të cilën, duket qartë, zoti Vuçiq nuk dëshiron ta kuptojë”, ka thënë Spajiq. Spajiq ka kritikuar gjithashtu Vuçiqin për deklaratat e tij lidhur me Rusinë dhe luftën në Ukrainë, duke e pyetur presidentin serb për politikën e Beogradit ndaj Moskës dhe Perëndimit.
“Nuk është fort e përshtatshme që, nga pozita e tij, të marrë rolin e PR-it të Rusisë dhe t’u japë të tjerëve leksione për parimësinë”, ka deklaruar kryeministri malazez. Më pas, Spajiq i ka drejtuar një pyetje të drejtpërdrejtë presidentit serb, duke vënë në pikëpyetje qëndrimin e Beogradit ndaj Rusisë dhe Ukrainës.
“Prandaj, një pyetje e thjeshtë për presidentin Vuçiq: si është e mundur që Serbia, sipas të dhënave të disponueshme, është një nga burimet më të rëndësishme të armëve dhe municionit për Ukrainën, ndërsa Moskës i dërgon një mesazh dhe Evropës një tjetër?” Spajiq ka thënë se Mali i Zi nuk ka problem me qëndrimet e qarta, por me atë që i ka cilësuar si “standarde të dyfishta”.
“Ne në Mal të Zi nuk kemi problem me një qëndrim të qartë. E kemi vetëm me standardet e dyfishta.” Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
