Zelensky në Beograd: Mbështetje verbale për Ukrainën, mohim i Kosovës

0%

Vizita e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Beograd dhe deklarata e menjëhershme e Aleksandar Vuçiçit për ndryshimin e mundshëm të rrjedhës së lumit Ibër përbëjnë dy zhvillime të lidhura ngushtë. Ato hedhën dritë mbi lojën e dyfishtë të Serbisë në rajon.

Në Prishtinë dhe Tiranë, këto çështje u trajtuan si shenja të qarta të qëndrimeve kontradiktore të Beogradit ndaj Ukrainës dhe Kosovës. Zelensky shkoi në Beograd për herë të parë si president. Vuçiç e quajti Ukrainën “vend miqësor” dhe përsëriti mbështetjen për integritetin territorial të saj.

Një ditë pas takimit, Vuçiç shpalli se Serbia po shqyrton ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, lumin që ushqen liqenin e Ujmanit, infrastrukturë strategjike për furnizimin me ujë, energji dhe ujitje në Kosovë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në kontekst të qëndrimeve të Zelenskyt në qershor 2026, Polonia anuloi dekoratën më të lartë shtetërore, Urdhrin e Shqiponjës së Bardhë, që Zelensky kishte marrë në 2023, për shkak të emërtimit të një njësie ushtarake me emrin e UPA-s. Zelensky e ktheu dekoratën. Ky episod tregoi se edhe aleatët më të afërt kanë kufij kur preken interesat e tyre historike.

Në Beograd, Zelensky deklaroi se Ukraina “nuk e njeh dhe nuk do ta njohë kurrë” pavarësinë e Kosovës, duke u thirrur në ligjin ndërkombëtar dhe respektimin e integritetit territorial të partnerëve. Kjo deklaratë është naive dhe problematike.

Në vitin 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë dha opinionin këshillues se shpallja e pavarësisë së Kosovës më nuk shkelte të drejtën ndërkombëtare të përgjithshme, as Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit. Gjykata nuk tha troç se Kosova është shtet, por hodhi poshtë argumentin serb se akti i shpalljes ishte i paligjshëm.

Bazuar në këtë opinion, mbi 120 shtete, përfshirë fuqitë kryesore, e kanë njohur Kosovën. Duke thënë se “nuk e njohim kurrë” mbi bazën e ligjit ndërkombëtar, Zelensky anashkaloi këtë opinion dhe i dha Vuçiçit një argument të fortë për t’u përdorur politikisht. Paralelizimi me Krimenë u bë i qëllimshëm.

Serbia dhe Rusia e kanë përdorur prej vitesh rastin e Kosovës si precedent për të justifikuar ose relativizuar aneksimin rus të Krimesë dhe Donbasit.

Zelensky, duke e përsëritur në Beograd se pozicioni i tij ndaj Kosovës, mbetet i pandryshuar, forcoi këtë narrativë serbe dhe e bëri më të lehtë për Vuçiçin të paraqesë veten si mbrojtës i integritetit territorial, ndërsa refuzon sanksionet ndaj Rusisë.

Në këtë skemë, qëndrimet pro-europiane të Edi Ramës, duke i veshur vetes kostumin e një lideri botëror europian, i kanë shërbyer Vuçiçit më shumë sesa Kosovës gjatë 12 viteve të tij si kryeministër.

Nisma “Open Balkan”, disa iniciativa të përbashkëta dhe letra e përbashkët drejtuar BE-së në shkurt 2026, që kërkonte hyrje në tregun e përbashkët dhe Shengen pa anëtarësim të plotë, i kanë dhënë Beogradit imazhin e partnerit konstruktiv rajonal.

Rama, duke u paraqitur si lider pro-europian që bashkëpunon me Serbinë, i ka krijuar Vuçiçit gjatë dekadës së fundit më shumë hapësirë për të balancuar mes Brukselit dhe Moskës pa u ndëshkuar plotësisht. Kosova shpesh është lënë jashtë këtyre formateve, sidomos kur Rama mund të luante rol përafrimi të Kurtit në samitet për Ukrainën.

Ndërsa Vuçiç e përforcoi këtë në atë konferenc shtypi pas dekleratave “skandaloze” të Zelenskyt duke falënderuar publikisht Zelenskyn, për mosftesën e përfaqësuesve të Prishtinës në ato samite.

Për sa i përket kërcënimit për devijimin e Ibrit, e drejta ndërkombëtare e ujërave, parimet e Konventës së OKB-së për ujërat ndërkufitare dhe e drejta zakonore, ndalon një shtet të sipërm që të ndryshojë rrjedhën e një lumi të përbashkët në mënyrë që t’i shkaktojë dëm të rëndësishëm shtetit të poshtëm pa njoftim, konsultim dhe marrëveshje. Ujmani është aset jetik i Kosovës.

Ky demarsh i Vuçiçit dhe Marko Gjuriçit nuk është plan inxhinierik serioz në afat të shkurtër, por presion politik i synuar për audiencën e brendshme serbe dhe për të detyruar Prishtinën në kontekstin e rrënimeve të objekteve ilegale rreth liqenit. Për shqiptarët, mesazhi mbetet i qartë: mbështetja verbale e Serbisë për Ukrainën nuk e zbut qëndrimin e saj ndaj Kosovës.

Ujmani duhet mbrojtur si aset strategjik, ndërsa diplomacia shqiptare duhet të ekspozojë dyfytyrësinë e Beogradit dhe të mos lejojë që miqësitë personale apo nismat rajonale të anashkalojnë sovranitetin e Kosovës. Në këtë kontekst, njohja e Kosovës nga Ukraina, dhe madje edhe nga Serbia, ka rëndësi më shumë simbolike dhe politike sesa juridike determinuese.

Kosova tashmë ekziston si shtet de facto, me kontroll territorial, institucione funksionale dhe njohje nga mbi 115 vende. Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të vitit 2010 e ka hedhur poshtë argumentin se shpallja e pavarësisë shkelte të drejtën ndërkombëtare.

Ndërsa, vendimi thelbësor për anëtarësimin e plotë në OKB mbetet te Këshilli i Sigurimit, aty ku Rusia dhe Kina janë pengesat kryesore. Rusia e përdor aktivisht vetën për të bllokuar çdo lëvizje që forcon Kosovën. Prandaj, deklarata e Zelenskyt në Beograd ka peshë propagandistike për Serbinë, por nuk ndryshon statusin ndërkombëtar të Kosovës.

Njohja e Ukrainës, do të ishte një fitore diplomatike e mirëseardhur, por jo vendimtare. Ajo që vlen më shumë është konsolidimi i brendshëm, mbështetja e SHBA-së dhe BE-së, dhe mbrojtja e aseteve strategjike si Ujmani. Sot, pas deklaratës së Zelenskyt në Beograd, përplasja e Edi Ramës me ambasadorin rus në Këshillin e Sigurimit në shtator 2023 duket ndryshe.

Në atë kohë Rama u paraqit si mbrojtës i parimit të sovranitetit dhe integritetit territorial. Ai i tha Nebenzyas se nëse Rusia ndalon luftën, Zelensky, nuk ka nevojë të flasë. Ky për mendimin tim ishte një qëndrim i fortë, i qartë dhe në përputhje me pozicionin e Shqipërisë si anëtare e NATO-s. Ai forconte imazhin e Shqipërisë si vend parimor kundër agresionit.

Por sot, kur i njëjti Zelensky, që Rama mbrojti me forcë në New York, në Beograd i jep Vuçiçit argumentin e integritetit territorial për të justifikuar mosnjohjen e Kosovës, qëndrimi i Ramës duket i paplotë. Sepse ai mbrojti parimin kur bëhej fjalë për Ukrainën, por nuk e ka mbrojtur me të njëjtën forcë kur i njëjti parim relativizohet në dëm të Kosovës.

Problemi nuk është toni i ashpër ndaj Rusisë. Problemi është mungesa e konsistencës. Nëse e mbron sovranitetin e Ukrainës me gjuhë të fortë, duhet të bësh të njëjtën gjë kur partnerët e tu ndërkombëtarë e minojnë sovranitetin e Kosovës. Përndryshe, parimi bëhet selektiv dhe humbet peshën, dhe Rama bëhet “komardare” e dikujt tjetër …..

Burimi: Bota Sot