Nuk ndiheni të uritur gjatë vapës? Ja çfarë po ndodh në trupin tuaj

0%

Mungesa e oreksit gjatë ditëve të nxehta nuk është gjithmonë rastësi: nga truri dhe qarkullimi i gjakut te hormonet, disa procese në trup mund t’ju bëjnë të mos dëshironi ushqim Lucy Hooper, bashkëthemeluese e një klinike në Londër, shpjegon arsyet e uljes së oreksit dhe mënyrat se si mund ta përshtatim ushqyerjen gjatë vapës.

Sipas mjekes, pas uljes së dëshirës për ushqim gjatë temperaturave të larta fshihen disa mekanizma të trupit. Një nga arsyet kryesore lidhet me trurin. Ai funksionon si një lloj termometri dhe përmban qeliza nervore që, kur zbulojnë se trupi është mbinxehur, dërgojnë sinjale kimike që ulin oreksin.

Ulja e oreksit mund të lidhet edhe me ndryshimet në qarkullimin e gjakut, ndërsa trupi përpiqet të ftohet. Kur kemi vapë, gjaku ridrejtohet nga sistemi tretës drejt lëkurës për të nxitur djersitjen dhe ftohjen e trupit. Kjo mund ta ngadalësojë tretjen dhe të ulë oreksin, ndërsa në temperatura ekstreme mund të shkaktojë edhe të përziera të lehta. Edhe hormonet ndikojnë në oreks.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Gjatë valëve të të nxehtit, veçanërisht nëse ushtrohemi fizikisht, ndryshimet hormonale mund ta ulin më tej dëshirën për ushqim. Një tjetër faktor është temperatura e brendshme e trupit. Vetë tretja e ushqimit e rrit temperaturën trupore. Prandaj, kur trupi është tashmë i nxehtë, reagimi natyror mund të jetë shmangia e një burimi tjetër nxehtësie që vjen nga ushqimi.

Kush është më i ndjeshëm? Jo të gjithë reagojnë njësoj ndaj vapës. Fëmijët dhe të moshuarit janë më të ndjeshëm ndaj temperaturave të larta dhe problemeve që lidhen me to. Në grupin e rrezikuar përfshihen edhe personat me sëmundje kronike, veçanërisht ata me probleme të zemrës ose mushkërive. Ndikimin e vapës mund ta ndiejnë më shumë edhe sportistët dhe njerëzit që punojnë jashtë.

Sipas mjekes, më të ndjeshëm mund të jenë edhe personat që përdorin barna për kontrollin e peshës, pasi këto barna ndikojnë vetë në hormonet e zorrëve që lidhen me oreksin. Si të përshtateni më lehtë me vapën? Zgjidhni orarin e duhur për vaktet. Mundohuni të hani gjatë pjesëve më të freskëta të ditës, për shembull herët në mëngjes ose në mbrëmje vonë. Hani vakte më të vogla, por më shpesh.

Kur oreksi është i ulët, një vakt i madh mund të jetë i vështirë për t’u konsumuar. Në vend të tij, zgjidhni porcione më të vogla dhe ushqime të lehta gjatë ditës. Mos harroni hidratimin. Pini ujë rregullisht dhe me gllënjka të vogla, pa pritur të ndieni etje. Urina me ngjyrë të errët dhe urinimi më i rrallë mund të jenë shenja se duhet të konsumoni më shumë lëngje.

Zgjidhni ushqime më të lehta. Kur temperaturat janë të larta, një pjatë e madhe me makarona të nxehta ose ushqime shumë pikante mund t’ju bëjë të ndiheni edhe më keq. Në vend të tyre, mund të zgjidhni sallata, shalqi ose ëmbëlsira të ftohta me fruta. Megjithatë, edhe kur oreksi bie, trupi ka nevojë për energji, karbohidrate dhe proteina , ndaj është e rëndësishme të mos i neglizhoni.

Nëse mendoni se nuk po merrni mjaftueshëm lëndë ushqyese, mund të konsultoheni me mjekun ose farmacistin për përdorimin e multivitaminave. Kur duhet të kërkoni ndihmë mjekësore? Ulja e oreksit gjatë vapës mund të jetë e përkohshme, por duhet të tregoni kujdes nëse simptomat bëhen të forta.

Nëse urinoni shumë rrallë, nuk arrini të konsumoni mjaftueshëm lëngje ose ushqim, ndiheni të dobët dhe nuk jeni në gjendje të kryeni aktivitetet e zakonshme të përditshme, duhet të kontaktoni mjekun .

Burimi: Telegrafi