Letonia ka njoftuar nisjen e një operacioni të ri të sigurisë për forcimin e kontrollit në kufirin me Bjellorusinë, në kohën kur autoritetet po përballen me rritje të kalimeve të paligjshme të migrantëve.
Kryeministri letonez, Andris Kulbergs, ka bërë të ditur se operacioni, i quajtur “Vilkatis”, do të synojë goditjen e rrjeteve që dyshohet se ndihmojnë migrantët të kalojnë ilegalisht kufirin dhe më pas të lëvizin drejt vendeve të tjera evropiane.
Njoftimi vjen pasi autoritetet zbuluan një tunel nëntokësor nën kufirin mes Letonisë dhe Bjellorusisë, i cili dyshohet se është përdorur për kalime të paligjshme. Në kuadër të masave të reja, do të forcohet bashkëpunimi mes rojeve kufitare, Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura dhe shërbimeve të sigurisë.
Po ashtu, autoritetet kanë paralajmëruar përdorim më intensiv të dronëve për zbulimin dhe ndalimin e personave që tentojnë të kalojnë ilegalisht kufirin. Kulbergs ka deklaruar se autoritetet do të fokusohen edhe në identifikimin e rrjeteve që transportojnë migrantët nga zona kufitare dhe në goditjen e pikave që u ofrojnë atyre mbështetje brenda vendit.
Letonia ka paralajmëruar gjithashtu bashkëpunim më të ngushtë me Estoninë, Lituaninë, Poloninë dhe shtete të tjera për të frenuar fluksin e kalimeve të paligjshme nga Bjellorusia. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
