Një ndeshje e cila është e ngulitur edhe sot në kokën e gjeneratës së vjetër dhe të mesme është ndeshja e 8 prillit mes Prishtinës dhe Proleterit të Zrenjaninit nga Krahina e Vojvodinës, në kuadër të javës së 27-të të Ligës së Dytë Unike të ish Jugosllavisë. Ndeshja kishte përfunduar 0:0 dhe me penallti fitoi Proleteri me rezultat 6:5, duke importuar një pikë.
Ngjau ajo që më së paku pritej, milicia ish jugosllave futet në fushë dhe sulmonte futbollistët e Prishtinës, Gani Llapashticën e bëri për spital. Çfarë u shkruan më 9 qershor të vitit 1990 dhe kush luajti titullar për Prishtinën? “Nervozizmi e bëri të vetën, por pakkush mendoj se do ngjajë ajo që ngjau.
Kollari, Llapashtica e Sahiti pa nevojë u drejtuan kah referi Slobodan Joviqi i Kavadarit, duke kërkuar diçka që kishte përfunduar. Mirëpo, kjo nxiti të tjerët. E, pasi situata ishte e tendosur, filluan grindje së pari verbale ndërmjet lojtarëve të të dy palëve.
Pra, mjaftoi të futet vetëm një xixë e vogël, siç ngjau, kush e dinte nuk e pamë dhe shpërtheu e padëshiruara, rrahja ndërmjet lojtarëve. U krijua një rrëmujë e paparë… Nuk dihej se kush kë e qëllonte. Kjo zgjati një ose dy minuta. Më pastaj ndërhynë organet e milicisë për të qeëtësuar situatën.
Disa nga ata përdorën shkopinjtë kundër Kollarit e Llapashticës, të cilët, si duket, pësuan më së keqi. Në tribuna u krijua një atmosferë e zymtë. Filluan gjuajtjet me gurë në fushë.
Megjithëkëtë, shumica treguan një pjekuri të madhe dhe filluan të shpërndahen por me zemra të thyera dhe të mllefosur me atë që ngjau”, ka shkruar mes të tjera gazeta “Rilindja” me datën 9 qershor të vitit 1990. “Kozniku nga tri metra nuk arriti të shënojë. Në minutën e 55-të Prishtina pati rastin e qindpërqindtë. Bri 16-shit, Dubaqi me faull ndali Hasangjekajn.
Gjuajtjen e dënimit e ekzekutoi Kollari, i cili me një gjuajtje të saktë e dinake e drejtoi topin mu nën këndin e djathtë të portës së Gavrilloviqit. Të gjithë të pranishmit kërcyen nga gëzimi, duke e parë topin në rrjetë. Mirëpo Gavrilloviqi nuk u dorëzua. Dëboi topin me maje të gishtërinjve deri te koka e Avni Stublës, që gjendej nja një metër larg portës së zbrazët.
Por, kur s’e do se do. Gjuajtja e Stubllës, në vend të rrjetës, qëlloi transverzalen dhe kaloi jashtë portës. Në minutën e 75-të Kozniku, përballoi mbrojtësin Rudan, arriti para Gavrilloviqit, porse gjuajti pranë portës”, kështu u raportua mes të tjera ndeshja.
Pas javës së 27, Sutjeksa kryesonte me 35 pikë, pasonin Zemuni me 35, Proleteri 34, Slloboda e Uzhicës 31, Dinamo e Vinkovcit 30, Prishtina 30, Shibeniku 28 sosh etj. Prishtina – Proleteri 0:0 – 5:6 me penallti Stadiumi i qytetit në Prishtinë. Spektatorë: 20 mijë. Referoi Slobodan Joviqi i Kavadarit me asistimin e Dragisha Komadiniqit të Beogradit dhe Gjoko Stojanovskit të Shkupit.
Kartonat e verdhë: Keçi e Llapashtica (Prishtina), Aniçiq e Tekijashki (Proleteri). Golat nga pika e bardhë i shënuan. StublIa, Sahiti, Kollari, Salihu, Morina për Prishtinën (dështuan: Kozniku, Hasangjekaj e Keçi), Rudan, Tekijashki, Simaniq, Dubaiq, M. Petroviq e Aniçiq për Proleterin (dështuan Staniq e Boshkoviq).
Prishtina: Bozhidar Vuksanoviq 7, Arbnor Morina 7, Avni Stublla 6, Sunaj Keçi 5, Gani Llapashtica 5, Muhamed Kolenoviq 6, Arbër Hasangjekaj 5, Besnik Kollari 5, Muharrem Sahiti 5, Mensur Nexhipi 5 (Eroll Salihu) dhe Ardian Kozniku 5. Proleteri: Gavrilloviq 8, Rudan 7, Staniq 6, Simaniq 5, Dubaiq 6, Aniçiq 6, Magliqa 5 (Govedarica), Tekijashki 6, Boshkoviq 5, Mihajlloviq 5 (M.
Petroviq) dhe N. Petroviq 5.
