Ish-kryetari i Aleancës, Ramush Haradinaj, ka përkujtuar të rënët e gushtit të vitit 1998 në Gllogjan dhe Irzniq. Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka vlerësuar lart sakrificën dhe heroizmin e atyre që ranë në luftën për çlirimin e Kosovës. Ai ka thënë se qëndresa e tyre u bë frymëzim për shumë luftëtarë të lirisë dhe për betejat që pasuan deri në çlirimin e vendit.
Postimi i plotë: Me dhembje e krenari, sot në Gllogjan dhe Irzniq, kujtuam të rënët e javës së dytë të gushtit 1998: Enver dhe Orhan Halilaj, Arton Hasanaj, Arben Ahmetaj, Halil Sejfijaj, Naim Nimanaj, Maxhun Çekaj, Gëzim Dervishaj, Halil Berisha, Malë Zejnaj, Nexhat Humaj, Naser Idrizaj, Hasan Osmani, dhe Agron Thaqi.
Po ashtu, me shumë bashkëluftëtarë, në Ditën e Dëshmorëve të fshatit Irzniq, bëmë zbulimin e pllakës përkujtimore, në nderim të të rënëve të këtij fshati, i cili në luftën për liri dha luftëtarë të shquar dhe dëshmorë të kombit. Heroizmi i tyre, frymëzoi shumë luftëtarë lirie e shumë beteja të tjera deri në çlirimin e vendit. Përgjithmonë në kujtesën tonë historike!
