Kryeqyteti i Kosovës do të jetë mikpritës i edicionit të 10-të jubilar të festivalit ndërkombëtar të artit urban “Meeting of Styles Kosovo” (MOS Kosovo), i cili do të zhvillohet nga data 28 deri më .
Organizuar nga Qendra për Zhvillimin e Artit “Q’art”, ngjarja e këtij viti do të mbahet nën temën “Togetherness” (Bashkëjetesë) dhe do të mbledhë mbi 100 artistë vendorë e ndërkombëtarë për të shndërruar hapësirat e nënvlerësuara publike në galeri të hapura artistike.
Aktiviteti kryesor artistik do të fokusohet përgjatë murit të vazhdueshëm në korridorin hekurudhor afër stacionit të trenit në Prishtinë. Përgjatë tri ditëve, artistët do të punojnë paralelisht në realizimin e muraleve dhe graffiteve, duke krijuar një korridor vizual dinamik për qytetarët.
Nga organizata “Q’art”, e cila e mban dhe e organizon këtë festival që nga viti 2017, theksojnë se ky edicion jubilar shënon një dekadë të transformimit të hapësirës publike përmes bashkëpunimit artistik. “Meeting of Styles Kosovo 2026 e pozicionon Prishtinën si një pikë takimi dhe karvan i kulturave, ideve dhe artit urban”, deklarojnë nga organizata “Q’art”.
Sipas dokumentit zyrtar të projektit, edicioni i këtij viti është i ndërtuar mbi pesë shtylla kryesore: “Walls & Graffiti Culture”, “Urban Movement”, “Edukimi dhe Angazhimi i të Rinjve”, “Industria Kreative dhe Turizmi Urban”, si dhe “Komuniteti dhe Rrjetëzimi”.
Përveç pikturimit të mureve, programi përfshin garën e graffiteve në disiplinat tagging, throw-ups dhe krijim karakteresh, si dhe sesionin e hapur “My Wall is Your Wall”, i cili u mundëson artistëve të rinj dhe vizitorëve të shprehin kreativitetin e tyre në mënyrë të lirë. Gjithashtu, atmosfera urbane do të pasurohet me performanca të sporteve ekstreme dhe vallëzimit.
“Aktiviteti Njësitë Urbane bashkon forma të ndryshme të sporteve dhe subkulturave urbane që lidhen ngushtë me street-art, duke integruar skate, BMX, beatbox dhe breakdance”, sqarojnë organizatorët. Pjesa muzikore do të mbarëtrafikohet përmes platformës “Soundbooth Prishtina”, ku do të paraqiten DJ dhe grupe muzikore live.
Në kuadër të shënimit të 10-vjetorit, festivali do të sjellë edhe ekspozitën retrospektive “10 Years of Prishtina Walls”, e cila do të dokumentojë evolucionin e artit urban në kryeqytet gjatë dekadës së fundit.
Paralelisht, përmes iniciativës “PRN Urban Walks”, do të organizohen ture falas me udhërrëfyes të certifikuar për të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të eksplorojnë historinë e muraleve në Prishtinë.
Përmes këtij programi treditor, festivali synon të tërheqë mbi 5,000 vizitorë, si dhe të angazhojë dhjetëra vullnetarë e të rinj në punëtori edukative, duke forcuar rolin e artit publik si katalizator për zhvillimin e turizmit kulturor dhe ekonomisë kreative në Kosovë. / Telegrafi
