Zbulimi i mbetjeve mortore në disa lokacione në Zubin Potok ka rikthyer në fokus çështjen e personave të zhdukur dhe të krimeve të pazbardhura të luftës së fundit në Kosovë. Gjetjet e reja mund të jenë të rëndësishme jo vetëm për identifikimin e viktimave, por edhe për dokumentimin e krimeve dhe përcaktimin e përgjegjësive.
Çështja e personave të zhdukur vazhdon të mbetet një nga problemet më të ndjeshme në raportet Kosovë-Serbi. Pavarësisht Deklaratës për Personat e Zhdukur, të miratuar në kuadër të dialogut, vazhdojnë kritikat se Serbia nuk po ofron informacionet dhe dokumentet që do të mund të ndihmonin në zbardhjen e fatit të të zhdukurve.
Për rëndësinë e zbulimeve në Zubin Potok, pengesat nga Serbia, zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur dhe rolin e faktorit ndërkombëtar, për “Bota sot” ka folur avokati serb Cedomir Stojkoviq, i cili prej vitesh është i zëshëm për çështjet që lidhen me krimet e luftës dhe përgjegjësinë e institucioneve serbe.
Cedomir Stojkoviq Intervista e plotë: “Zbulimet tregojnë edhe një herë sa intensive ishin krimet e regjimit të Millosheviqit” “Bota sot”: Zbulimet e reja në Zubin Potok janë shumë të rëndësishme për Kosovën dhe për zbardhjen e krimeve të pazgjidhura të luftës. Sa efektive kanë qenë veprimet për identifikimin dhe hetimin e lokacioneve të panjohura të varrezave masive?
Cedomir Stojkoviq: Këto zbulime janë të një rëndësie të madhe dhe tregojnë edhe një herë se sa intensive kanë qenë krimet masive të kryera nga regjimi i Millosheviqit në Kosovë gjatë luftës. Megjithatë, ky zbulim nuk është bërë falë bashkëpunimit të Serbisë me autoritetet e Kosovës në kërkimin e këtyre varrezave, por përkundër faktit se Serbia ka penguar zbulimin e tyre.
Sot e dimë se i gjithë regjimi i Slobodan Millosheviqit bëri përpjekje maksimale për t’i fshehur këto varreza. Trupat e shqiptarëve janë transportuar në Beograd dhe janë varrosur në objekte ushtarake, në mënyrë që të mos gjendeshin kurrë. Në vitin 2001, në qendrën stërvitore të njësisë antiterroriste në Beograd u gjetën 744 trupa.
Prandaj, fshehja e varrezave nuk ishte kryer nga ndonjë grup i shkëputur njerëzish në Serbi, por nga udhëheqja ushtarake dhe shtetërore, sepse dikush duhet ta ketë lejuar që trupat e shqiptarëve të vrarë të fshiheshin në objektet më të rëndësishme ushtarake.
“Vuçiqi e ka nënshkruar Deklaratën pa qëllim për ta zbatuar” “Bota sot”: Sa mund të ndikojë procesi i gjetjes së trupave në zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur dhe a duhet Bashkimi Evropian të ushtrojë më shumë presion ndaj Serbisë për të garantuar dokumentet dhe bashkëpunimin e plotë në zbardhjen e fatit të të zhdukurve?
Cedomir Stojkoviq: Sa kam dijeni, ajo varrezë në Zubin Potok është gjetur pa pjesëmarrjen e autoriteteve serbe, ndonëse sipas Deklaratës për Personat e Zhdukur, autoritetet në Serbi janë të obliguara të ofrojnë dokumente dhe informacione për lokacionet e këtyre varrezave.
Për më tepër, menjëherë pas zbulimit të asaj varreze, ministri i Policisë së Serbisë, Ivica Daçiq, publikisht i dënoi serbët që ndihmojnë në kërkimin e këtyre varrezave. Prandaj, është e qartë se Serbia ende po e pengon zbulimin e këtyre varrezave.
Kjo do të thotë se nënshkrimi i Vuçiqit në Deklaratë është një nënshkrim pa qëllim për ta zbatuar atë dhe se Serbia nuk po e zbaton deklaratën që e ka nënshkruar. Për më tepër, Vuçiqi i ka quajtur arrestimet e lidhura me atë krim “terror të Kosovës kundër serbëve”, ndërsa në Serbi është arrestuar edhe një serb për ndihmën në zbulimin e varrezës.
Pra, është e qartë se regjimi në Serbi ende po i fsheh varrezat, dëshiron t’i fshehë dhe nuk dëshiron ta zbatojë Deklaratën. Nëse regjimi në Serbi do të dëshironte që varrezat të zbuloheshin, ato do të ishin zbuluar shumë vite më parë, sepse Serbia i posedon këto të dhëna dhe ato janë pjesë e arkivave të inteligjencës së Serbisë.
Në vend të kësaj, Serbia arreston serbët që ndihmojnë në zbulimin e varrezave, ndërsa ministri i Policisë publikisht i kërcënon serbët se nuk duhet të marrin pjesë në zbulimin e tyre. Kjo e bën të qartë se pa presion nga komuniteti ndërkombëtar, Serbia nuk do ta zbatojë Deklaratën dhe nuk do t’i zbulojë varrezat.
Në fund të fundit, nëse nuk do të kishte pasur presion ndërkombëtar, Serbia nuk do ta kishte nënshkruar as Deklaratën. Arsyeja e vetme pse Deklarata u nënshkrua ishte presioni ndërkombëtar në atë kohë.
“Nëse Serbia pengon zbulimin e varrezave, do të pengojë edhe identifikimin e viktimave” “Bota sot”: Si mund të ndikojë ky zhvillim në proceset e tjera gjyqësore për krime lufte dhe në raportet Kosovë-Serbi, veçanërisht nëse do të ketë vonesa apo sukses në identifikimin e viktimave? Cedomir Stojkoviq: Identifikimi i viktimave do të varet nga mundësitë forenzike të Republikës së Kosovës.
Është e qartë se Serbia nuk do të ndihmojë në identifikimin e tyre. Serbia pothuajse hapur e ka thënë këtë. E rikujtoj se në vitin 2025 kanë nisur disa herë gërmimet në Serbi, në një lokacion në afërsi të Novi Pazarit, ku dyshohet se trupat e shqiptarëve janë varrosur në një varrezë masive dhe më pas mbi të është krijuar një deponi mbeturinash.
Në fund të vitit 2025, Serbia i ndërpreu përfundimisht gërmimet, duke e arsyetuar këtë me mungesën e kapaciteteve teknike, por refuzoi t’i dërgonte palës së Kosovës asistencë teknike. Prandaj, nuk bëhej fjalë për mungesë të kapaciteteve teknike, por për qëllim të pengimit të gërmimeve.
Nëse regjimi në Serbi e pengon zbulimin e varrezave, është e qartë se regjimi në Serbi do ta pengojë edhe identifikimin e viktimave. Kjo është arsyeja pse komuniteti ndërkombëtar duhet të ushtrojë presion të vazhdueshëm ndaj Serbisë. Pa një presion të tillë, nuk mund të pritet që Beogradi të bashkëpunojë realisht në zbardhjen e fatit të personave të zhdukur.
Çështja e personave të zhdukur nuk është vetëm një çështje humanitare. Ajo është çështje drejtësie dhe përgjegjësie për krimet e kryera. Familjet e viktimave kanë pritur shumë gjatë për të mësuar fatin e të afërmve të tyre. Çdo varrezë e zbuluar dhe çdo viktimë e identifikuar është një hap drejt së vërtetës dhe drejtësisë.
Prandaj, identifikimi i viktimave, hetimi i krimeve dhe zbardhja e përgjegjësisë duhet të vazhdojnë pavarësisht pengesave politike. Serbia duhet të hapë arkivat dhe të ofrojë informacionet që i posedon për vendndodhjen e trupave dhe për operacionet e kryera gjatë luftës.
Pa zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe pa përgjegjësi për krimet e luftës, nuk mund të ketë një proces të qëndrueshëm të normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
